
“Gjendja e Sundimit të Ligjit në Vendet e Zgjerimit të BE-së”, raport i ENNHRI
Prishtinë, 19 shtator 2025 – Një raport i ri i publikuar nga Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ENNHRI) hedh dritë mbi gjendjen e sundimit të ligjit në vendet e zgjerimit të BE-së, përfshirë edhe Kosovën.
Raporti “Gjendja e Sundimit të Ligjit në Vendet e Zgjerimit të BE-së – Raporte nga IKDNJ-të në 2025”, ofron një vlerësim të pavarur nga Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) mbi sfidat kryesore dhe zhvillimet në rajon.
Në pjesën që i dedikohet Kosovës, raporti vëren se Institucioni i Avokatit të Popullit vazhdon të shërbejë si një shtyllë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Monitorimi, rekomandimet dhe angazhimi i Institucionit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile njihet si një kontribut i rëndësishëm për qeverisjen demokratike. Megjithatë, raporti thekson se Kosova përballet me sfida strukturore të qëndrueshme që duhet të adresohen për të forcuar qëndrueshmërinë demokratike dhe për t’u afruar më shumë me standardet e Bashkimit Evropian.
Raporti evidenton praktika të mira të legjislacionit sipas të cilit vepron Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, por gjithashtu shpreh shqetësime të vazhdueshme lidhur me pavarësinë dhe efikasitetin e drejtësisë, sidomos me zvarritjet e procedurave gjyqësore. Ai gjithashtu nxjerr në pah gjendjen e brishtë të lirisë së mediave, duke vënë në dukje rreziqet për pluralizmin dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe nevojën për të siguruar që organizatat e shoqërisë civile të veprojnë pa pengesa të padrejta. Për më tepër, ai tërheq vëmendjen mbi hendekun midis legjislacionit dhe zbatimit, duke theksuar se reformat duhet të shoqërohen me veprime konkrete për të dhënë rezultate domethënëse për qytetarët.
Sipas ENNHRI-së, këto sfida jo vetëm që ndikojnë në të drejtat e njeriut dhe qeverisjen, por përbëjnë edhe një test të rëndësishëm për rrugëtimin e vendeve në zgjerim drejt integrimit në BE. Forcimi i institucioneve të pavarura, sigurimi i llogaridhënies dhe mbyllja e hendekut të zbatimit përshkruhen si hapa thelbësorë për avancimin e të ardhmes evropiane.
Raportin e plotë e gjeni këtu: https://bit.ly/46urzZK