Featured Image

Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare vizitoi Institucionin e Avokatit të Popullit

28/08/2025

Prishtinë, 28 gusht 2025 – Zëvendësit e Avokatit të Popullit, z. Basri Kastrati dhe znj. Majlinda Sinani Lulaj me bashkëpunëtorë pritën në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp.

Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati njoftoi të pranishmit për punën dhe aktivitetet e Institucionit të Avokatit të Popullit, pranimin dhe hetimin e ankesave të qytetarëve, si dhe për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e institucioneve publike.

Ai shtoi se Institucioni ka pranuar një numër ndjeshëm më të lartë nga ana e komuniteteve, e në veçanti nga ana e komunitetit serb, ankesa këto të pranuara drejtpërdrejtë edhe nga takimet me qytetarë, në të gjitha komunat.

Në këtë takim po ashtu u theksua komunikimi i rritur dhe i rregullt me qytetarët duke përfshirë të gjitha komunitetet përmes organizimit të takimeve në koordinim dhe bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, dhe është treguar praktikë e mirë si mundësi që qytetarët lirshëm të shprehin brengat dhe shqetësimet e tyre.

Në anën tjetër, z. Kamp u informua edhe për bashkëpunimin që Institucioni i Avokatit të Popullit ka me Zyrën e Komisionerit për Gjuhë, të përfshirë në projekte të përbashkëta duke ngritur rëndësinë e respektimit të Ligjit për Gjuhët, ndërsa pozita e Komisionerit vazhdon të mbetet vakante.

Ambasadori Christophe Kamp theksoi rolin dhe rëndësinë që ka Institucioni i Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për gjithë qytetarët duke theksuar bashkëpunimin e thellë që ka misioni i OSBE-së në Kosovë me IAP.