Featured Image

Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e sindikatës dhe shoqatës së pensionistëve

30/07/2025

Prishtinë, 30 korrik 2025 – Avokati i Popullit priti në takim përfaqësuesit e sindikatës dhe të shoqatës së pensionistëve ku diskutuan një numër çështjesh që ndërlidhen me pensionistët.

Pensionistët theksuan se për ata mbetet shqetësuese aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ku sipas tyre mosnjohja e stazhit të punës nën 15 vite paraqet diskriminim dhe cenim të së drejtës në pronë. Ata thanë se fakti që u njihet stazhi i viteve të ’90-ta por kjo nuk përkthehet në kompensim lartësi të pensionit i vendos në pozitë diskriminuese.

Ata thanë se fillimisht janë diskriminuar kur janë larguar nga puna për shkaqe politike, nën masa të dhunshme, dhe tash diskriminohen në raport me ata që kanë punuar gjatë kësaj periudhe e të cilët marrin pension të plotë kontribut-pagues për 15 vite, ndërsa këta që janë larguar, u njihet vetëm stazhi por nuk u njihet e drejta e kompensimit për pension.

Po ashtu, ata folën për detyrimin që kanë pensionistët që të paraqiten çdo 6 muaj dhe nëse nuk paraqiten atyre u ndalet pensioni, si dhe nuk u kthehen pensionet edhe atëherë kur ata paraqiten më vonë. Shqetësimi tjetër i ngritur ishte në lidhje me ndalesat që iu bënë Trusti pensional i Kosovës që për pensionistët nuk ka një bazë ligjore.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se pensionistët janë kategoria më e diskriminuar në shoqëri, ata përballen me vështirësi dhe probleme të mëdha në jetë, nuk mund të gëzojnë një jetë me dinjitet dhe shteti nuk ka marrë asnjë veprim për të përmirësuar gjendjen e tyre në shoqëri.

Pensionistët kërkuan nga Avokati i Popullit që ti ngrit këto shqetësime në nivel institucional dhe të gjendet zgjidhje, duke shprehur pakënaqësi në krejt skemën pensionale e cila nuk po arrin që të plotësojë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar faktin se Kosova nuk ka fond pensional dhe sigurime shëndetësore dhe pensionistëve shpeshherë nuk u dalin pensionet për të mbuluar nevojat e domosdoshme, si ato me furnizim me barna.

Pensionistët theksuan dhe Avokati i Popullit u pajtua që moszbatimi i nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti paraqet problem si dhe mospërmbushja e detyrimeve që ka shteti ndaj këtij grupi të qytetarëve, respektivisht të moshuarve. Praktika e vendeve tjera ka treguar që shtetet deri në tri apo katër herë në vit vlerësojnë lartësinë e pensionit në raport me standardin dhe plotësimin e kushteve minimale të shportës ndërsa në Kosovë kjo nuk ka ndodhur në pesë vitet e fundit.

Rritjet që kanë ndodh për të gjitha kategoritë tjera që marrin pagë nga shteti, pensionistët janë të vetmit që nuk u është rritur pensioni, edhe pse ka pas ndryshim të standardit, me inflacion dhe aktualisht pensioni prej 100 eurosh është edhe në disproporcion të plotë edhe me pagën minimale e cila aktualisht është 350 euro.

Pensionistët po ashtu theksuan se mungesa e komunikimit dhe dialogut social, si dhe mungesa e gatishmërisë dhe vullnetit politik për ti dëgjuar hallet e të moshuarve është shqetësim për ata dhe kjo i bënë ata të lihen anash duke jetuar në kushte tejet të rënda.

Avokati i Popullit theksoi se ai në vazhdimësi i ka përcjell me shqetësim hallet dhe brengat që i kanë pensionistët. Në shumë raste ai ka ngrit zërin dhe i ka trajtuar këto kërkesa. Ai tha se do të vazhdojë edhe më tutje të jetë zë i fuqishëm për realizimin e të drejtave që i kanë pensionistët në Republikën e Kosovës, duke e theksuar se është e domosdoshme nevoja për një reformë të skemave pensionale me qëllim që këto skema të jenë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.