Featured Image

Avokati i Popullit priti në takim menaxhmentin e RTK-së

18/07/2025

Prishtinë, 18 korrik 2025 – Avokati i Popullit priti në takim UD Drejtorin e Përgjithshëm të RTK, z. Hysen Hundozi, Drejtorin e Televizionit, z. Rilind Gërvalla dhe Këshilltarin e UD Drejtorit të Përgjithshëm, z. Fadil Hoxha.

Avokati i Popullit u njoftua me problemet me të cilat RTK është duke u përballur kohëve të fundit, me theks të veçantë në mungesën e buxhetit për periudhën korrik – dhjetor 2025, ku rezultat i kësaj mungese pagat e punonjësve dhe shërbimet komunale të RTK, nuk do të mund të realizohen në fund të muajit.
Lidhur me këtë çështje përfaqësuesit e RTK e njoftuan Avokatin e Popullit se nëse kjo çështje nuk zgjidhet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, RTK ka rrezik të ndaloj funksionimin për shkak të mungesës buxhetore.
Avokati i Popullit duke pasur parasysh rëndësinë që ka roli i medias në Republikën e Kosovës, e po ashtu të drejtën e qytetarëve që të jenë të informuar, shfaqi gatishmërinë e tij për mbështetje, përkatësisht shfaqi gatishmërinë e tij që të takoj udhëheqësit e institucioneve relevante me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhje për kalimin e situatës emergjente që është krijuar aktualisht në RTK.