Featured Image

Tryezë diskutimi për sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi

17/07/2025
Prishtinë, 17 korrik 2025 – Avokati i Popullit organizoi një takim me zyrtarë të institucioneve publike dhe diskutuan për sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale.
Në adresimin e tij hyrës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi rëndësinë e funksionimit të mekanizmave të krijuara nga ministritë dhe komunat në monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Avokati i Popullit solli në vëmendje raportin e vitit 2023 i cili pati për qëllim që të vlerësohet se sa po zbatohet Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi në nivelin qendror dhe lokal.
Të gjeturat përfshijnë:
Vetëdijen e ulët institucionale për domosdoshmërinë e mbledhjes së të dhënave dhe evidentimit të rasteve të diskriminimit;
Mungesën e disa nga hallkave themelore të sistemit të përgjithshëm të parandalimit dhe mbrojtjes kundër diskriminimit;
Mungesën e zbatimit të procedurave kundërvajtëse për rastet e diskriminimit; dhe zbatimin e mangët të Ligjit nga gjykatat.
Në këtë tryezë u vërejt se këto të gjetura vazhdojnë të mbesin në nivel të njëjtë, madje disa nga këto mekanizma janë shuar, si njësia për mbrojtje nga diskriminimi, ndërsa në disa institucione nuk janë emëruar as zyrtarët për mbrojtje nga diskriminimi.
Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi është në proces e sipër të ndryshimit dhe plotësimit dhe pritet që të rregullojë këto fusha të rëndësishme si krijimi i njësive për mbrojtje nga diskriminimi, standardizimi i detyrave të punës si dhe do të ketë kornizën monitoruese dhe zbatuese.
Avokati i Popullit theksoi se se obligimet ligjore duhen të përmbushen dhe se do të bëhet hetimi i vazhdueshëm për të parë nëse institucionet shtetërore janë duke përfillu me kujdes Ligjin në fjalë.
Ai shtoi se institucionet ndër të tjera kanë obligim që të krijojnë një sistem për mbledhjen sistematike të të dhënave në lidhje me diskriminimin.