Featured Image

IAP monitoroi grevën e punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK

15/07/2025

Prishtinë, 15 korrik 2025 – Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar të martën grevën e punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e cila ka filluar më 11 korrik 2025.

Punëtorët e sigurimit fizik ka nisur grevën pas protestës disa javore për shkak të ndërprerjes së kontratave të punës, për rreth 280 punëtorëve, pasi që është anuluar tenderi. Siguria në objektet e QKUK-së është duke u kryer nga Policia.
Hakif Zejnullahu, përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimit Fizik të QKUK-së, theksoi se vendimi është bërë më 22 maj 2025 nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), dhe kontrata është ndërprerë më 21 qershor 2025. Kontratat e këtyre punëtorëve kanë qenë për kohë të caktuar dhe atë deri më 20 shtator 2025.
Shkëputja e kontratave nga ana e kompanisë ka ardhur sipas obligimeve ligjore të përcaktuara në aktvendimin e Gjykatës Komerciale Nr. 264/2025 dhe vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) Nr. 2025/0225, sipas të cilit u është ndërpre kontrata e kompanisë private me QKUK-në, rrjedhimisht kjo kompani është detyruar ta ndal aktivitetin me këtë institucion shëndetësor.
Përfaqësuesit e IAP-së takuan ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), z. Osman Hajdari i cili theksoi se në ditët në vijim do të vazhdojnë me procedura tenderuese duke negociuar për një zgjidhje sa më të shpejtë.
Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë këtë proces bazuar në mandatin dhe kompetencat që ka bazuar në Ligjin për Avokatin e Popullit.