
Avokati i Popullit diskutoi me gazetarë për lirinë e mediave
Prishtinë, 1 korrik 2025 – Avokati i Popullit priti në takim gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, dhe diskutoi për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Qëllimi i kësaj tryeze të rrumbullakët ishte diskutimi për gjendjen e lirisë së mediave në vend, sfidat dhe problemet me të cilat përballen gazetarët, renditja negative e Kosovës në indeksin e Reporterëve pa Kufij, mbrojtja ligjore e gazetarëve, mbrojtja e të dhënave personale dhe sfidat në trupat vetërregulluese të mediave.
Në fjalimin e tij hyrës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se liria e mediave dhe liria e shprehjes janë dy shtylla themelore të demokracisë dhe se këto të drejta hyjnë në katalogun e të drejtave të njeriut dhe si të tilla janë gjithmonë në fokusin e institucionit që ai drejton.
Z. Qelaj tha se raporti i Reporterëve pa Kufij për vitin 2025 për gjendjen e mediave në Kosovë ka ngrit alarm dhe se duhen marrë masa për të garantuar pacenueshmërinë e mediave.
Pjesëmarrësit theksuan se është me rëndësi që të ketë një dialog të mirëfilltë me qeverinë e ardhshme dhe institucionet tjera respektive në lidhje me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, e sidomos në çështjen e ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve që ndërlidhen me punën e mediave.
Një ndër çështjet që u diskutua ishte ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, ligj i cili nuk kaloi në Gjykatën Kushtetuese, dhe u theksua se ndryshimet duhen të bëhen me pjesëmarrje të gjerë të publikut dhe profesionistëve të fushës.
Po ashtu, në këtë takim u theksua mungesa e transparencës dhe bashkëpunimit nga ana e institucioneve shtetërore në raport me gazetarët. Është kërkuar më shumë efikasitet nga ana e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në lidhje me rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, si dhe kushtet e punës për gazetarët.