Featured Image

U mbajt konferenca ndërkombëtare “Shëndeti Mendor në Institucionet e Privimit të Lirisë”

26/06/2025

Prishtinë, 26 qershor 2025 – Institucioni i Avokatit të Popullit, në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKP), organizoi Konferencën Ndërkombëtare “Shëndeti Mendor në Institucionet e Privimit të Lirisë: Roli i MKP-ve në mbrojtjen e të drejtave si dhe sigurimin e mbikëqyrjes efektive”.

Kjo konferencë u organizua për të shënuar 26 qershorin, Ditën Ndërkombëtare për Mbështetjen e Viktimave të Torturës dhe të rrisë ndërgjegjësimin e përgjithshëm të publikut në veçanti të autoriteteve përgjegjëse, për standardet evropiane të trajtimit të personave me probleme të shëndetit mendorë, për ndjeshmërinë që tërheq më vete shëndeti mendor dhe nevoja për trajtim me dinjitet.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në hapje të konferencës theksoi se trajtimi i personave të privuar nga liria që kanë çrregullime mendore është një ndër sfidat më të ndjeshme dhe të rëndësishme në sistemin penitenciar. Këta persona kanë nevojë për trajtim të specializuar, jo vetëm për të ruajtur dinjitetin dhe të drejtat e tyre, por edhe për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së tyre dhe për të mundësuar rehabilitimin.
Avokati i Popullit theksoi se takimet e tilla janë të rëndësishme, sepse sjellin bashkë akterët institucionalë dhe ndërkombëtarë në një hapësirë të përbashkët reflektimi, shkëmbimi përvojash dhe koordinimi veprimesh – të gjitha këto vendimtare për përmbushjen e misionit tonë të përbashkët për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Në vazhdim theksoi rolin dhe rëndësinë e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në monitorimin e institucioneve të privimit të lirisë dhe institucionet e shëndetit mendor.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të Mekanizmave Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKP) të shteteve si Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia, përfaqësues nga institucionet shtetërore si Zyra për Qeverisje të Mirë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, Instituti i Psikiatrisë Forenzike, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësueses nga organizatat ndërkombëtare si: Këshilli i Evropës, EULEX, OSBE, UNMIK, ekspertë të Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fjalën hyrëse. z.Tankut, zëvendës shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, foli për rëndësinë e trajtimit të personave me probleme mendore, si dhe ndihmën që ka dhënë Këshilli i Evropës në ndërtimin e kapaciteteve të Mekanizmit të Kosovës dhe njoftoi për projektet e fundit që zbatohen me institucionet e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësorë dhe atij korrektues.
Konferenca vazhdoi me prezantime nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse, të cilët folën për punën e tyre, sfidat me të cilat ballafaqohen, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve publike theksuan sfidat dhe problematikat e tyre, si dhe veprimet që kanë ndërmarrë në raport me trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendorë në institucionet e privimit nga liria.
Avokati i Popullit, z.Qelaj në përmbyllje të kësaj konference theksoi se “Asnjë person i privuar nga liria nuk duhet të përjetojë neglizhencë, diskriminim apo keqtrajtim për shkak të gjendjes së tij mendore”.