Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit

05/06/2025

Prishtinë, 5 qershor 2025 – Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, Avokati Popullit, rithekson rëndësinë e mjedisit dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, e përcaktuar si e drejtë dhe vlerë për të cilën duhet të punojmë të gjithë.

Simbolika e kësaj dite është mundësia që të diskutohet dhe të ngritët vetëdija globale për mbrojtjen e mjedisit si dhe për orientimin e politikave që do të sillnin frymë përgjegjësie për institucione, komunitete dhe individë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 52, në mënyrë imperative ka përcaktuar që mjedisi jetësor, natyra dhe biodiversiteti janë përgjegjësi për secilin dhe njëherësh ka angazhuar institucionet e pushtetit publik për t’ia  garantuar secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton.

Një ndër problemet serioze në vend është ndotja e ajrit që vazhdon të ketë ndikim serioz në shëndetin e qytetarëve, e sidomos kualiteti i ajrit në komunën e Prishtinës vazhdon të mbetet shqetësuese. Sfidat tjera me të cilat përballen qytetarët janë veprimet në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, probleme me infrastrukturën ujore, ndërtime pa leje komunale mjedisore, ndotje nga mbeturinat, mjedis të pa sigurt, mosveprim i autoriteteve në drejtim të problemeve mjedisore, probleme nga gurëthyesit, zhurma, konflikt të kompetencave mes nivelit komunal dhe qendror, dhe mospërfshirje të parimeve mjedisore në aktet nënligjore mjedisore.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen edhe te sfida tjera siç janë mosrespektimi i kushteve të ndërtimit, mungesa e hapësirave të emergjencës, vendparkimet, hapësirat e sanitarisë, menaxhimi i mbeturinave ndërtimore, ndriçimi natyror dhe adekuat, ndotja mjedisore, ventilimi dhe zhurma, hapësirat e sanitarisë, kushtet e qasjes adekuate në rrugë publike dhe infrastrukturë teknike, kufizime për mbrojtjen e vlerave natyrore, historike dhe kulturore, të gjitha këto çështje sipas Avokatit të Popullit, përbëjnë shkelje serioze të të drejtave të qytetarëve të vendit.

Avokati i Popullit i bënë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërmarrin hapa konkrete për ndërprerjen e parregullsive me ndikim në mjedis, si dhe vendosjen e mjedisit në prioritet të qeverisë. Thirrje i bëhet edhe organeve të pushtetit gjyqësor që të ofrojnë mbrojtje efektive gjyqësore qytetarëve lidhur me trajtimin e rasteve të iniciuara në gjykatë për cenim të të drejtave mjedisore.

Dita Botërore e Mjedisit festohet me 5 qershor e cila u përcaktua nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1972. Tema e sivjetme është “Mposht ndotjen nga plastika” dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit nga hedhja e plastikës njëpërdorimshme e hedhur ose e djegur dhe ndot çdo ekosistem, nga majat e maleve deri në fund të oqeanit.