Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

03/06/2025

Prishtinë, 3 qershor 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë, e organizuar nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.

Z. Qelaj ishte pjesë e panelit me temë “Nga hiri tek promovimi i Demokracisë: Historia e transformimit të Kosovës”, ku u diskutuan edhe sfidat me të cilat përballen gratë dhe fëmijët gjatë luftërave.

Ai tha se Institucioni i Avokatit të Popullit në 25 vite të ekzistimit të tij ka luajtur rol mbikëqyrës në hartim të legjislacionit, në ndërtim të politikave dhe në mbikëqyrje të respektimit të të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit theksoi se secili nga ne duhet të punojmë për të ndërtuar një të ardhme ku çdo viktimë dhe i mbijetuar do të trajtohet me dinjitet, respekt dhe me mbështetje për ta tejkaluar traumën e përjetuar, siç janë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Z. Qelaj vazhdoi tutje duke thënë se çdokush duhet të punoj fuqishëm që të mos përsëritet e kaluara, duke vendosur garancitë e mos përsëritjes në njohjen e sakrificës dhe vuajtjeve të një populli që po ndërton të ardhmen e tij të sigurt dhe në paqe.

Avokati i Popullit tha se e vërteta e Kosovës dhe popullit të saj është një histori suksesi e një vendi që sistemin e vet juridik e kushtetues e ka vendosur mbi  vlerat e lirisë, paqes, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mosdiskriminimit dhe barazisë  gjinore.