Featured Image

Takim mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Drejtoreshës së Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore (FRA)

30/04/2025

Vjenë, 30 prill 2025 – Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, zhvilloi një takim zyrtar me znj. Sirpa Rautio, Drejtoreshë e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA).

Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse, ku z. Qelaj theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të avancuar më tej në fushën e të drejtave themelore, në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu paraqiti nevojat specifike të Institucionit të Avokatit të Popullit në raport me sfidat me të cilat përballet, duke përfshirë sigurimin e mosdiskriminimit, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, garantimin e sundimit të ligjit dhe mbështetjen për grupet më të cenueshme të shoqërisë.

Në fokus kryesor ishte avancimi i bashkëpunimit ndërmjet FRA-së dhe Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës dhe diskutimi për pjesëmarrjen e Kosovës si vëzhguese në punën e FRA-së.

FRA është një agjenci e pavarur e BE-së, me mandat për të ofruar këshilla dhe mbështetje të bazuar në të dhëna për institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare, në mënyrë që të sigurohet respektimi i të drejtave themelore në të gjitha politikat e BE-së. Mandati i saj përfshin fusha kyçe si promovimi i barazisë dhe mosdiskriminimit, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të viktimave, mbrojtja e të dhënave personale, qasja në drejtësi, si dhe të drejtat e grupeve të cenueshme. FRA gjithashtu bashkëpunon me institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut përmes platformave tematike, projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të praktikave të mira.

Duke iu referuar këtyre fushave me prioritet, Avokati i Popullit theksoi rëndësinë që ka përfshirja e Kosovës në punën e FRA-së, veçanërisht në tema si mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, luftimi i diskriminimit, mbledhja e të dhënave, digjitalizimi, Inteligjenca artificiale, garantimi i një sistemi gjyqësor efektiv dhe respektimi i të drejtave të pakicave. Ai paraqiti interesimin e Institucionit për të marrë pjesë në rrjetet dhe platformat tematike të FRA-së, për të përfituar nga aktivitetet e ngritjes së kapaciteteve dhe për të kontribuar në kërkimet dhe raportet tematike të Agjencisë. Ai theksoi gjithashtu përkushtimin e Republikës së Kosovës për të avancuar më tej në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian dhe theksoi rëndësinë e afrimit të Kosovës me mekanizmat evropianë të të drejtave të njeriut.

Nga ana e saj, znj. Rautio mirëpriti propozimet e paraqitura dhe shprehu gatishmërinë e FRA-së për të forcuar bashkëpunimin me Institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës. Ajo vlerësoi rolin jetik të institucioneve të pavarura në garantimin e të drejtave themelore dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në përpjekjet e përbashkëta për të promovuar vlerat dhe standardet e BE-së në rajon. Përveç kësaj, ajo njoftoi se edhe pse barrierat politike momentalisht nuk lejojnë që Kosova të jetë vëzhguese në FRA, ata janë të gatshëm aty ku ka mundësi që të ftojnë IAP-në në ngjarjet e ndryshme që organizohen, të pranojnë në një vizitë studimore stafin e IAP-së dhe të ndajë metodologjinë e punës sa i përket mbledhjes së të dhënave.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në avancimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Fotot nga FRA