Avokati i Popullit publikoi raportin në lidhje me sistemin bonus-malus
Prishtinë, 16 prill 2025 – Avokati i Popullit publikoi raportin me numër 367/2022 lidhur me ndryshimin e nenit 4 të Rregullores për zbatimin e sistemit bonus-malus. Në raport, Avokati i Popullit konstaton se detyrimi i pronarëve që të paguajnë më shumë për sigurimin e mjeteve të tyre ka rezultuar me shkeljen e së drejtës së pronës së pronarëve të mjeteve.
Në Republikën e Kosovës ekziston një sistem i rregullave që i rregullojnë çështjet e automjeteve, rregullave të trafikut rrugor dhe sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka vërejtur se sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, sistemi bonus-malus zbatohet si korrektues i lartësisë së primit të sigurimit, duke u bazuar në historikun e dëmeve të shkaktuara nga i siguruari.
Avokati i Popullit, duke pasur parasysh përcaktimet e rregullores në nenin 4, paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, ka vërejtur se pronarëve të mjeteve të cilët gjatë vitit të sigurimit nuk kanë shkaktuar asnjë dëm, mirëpo në vitin pasues nuk i regjistrojnë veturat sipas kohës së përcaktuar në nenin 4, paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, përveç që nuk u zbatohet sistemi i bonusit (uljes së pagesës së sigurimit), ndaj tyre shqiptohet malusi (ngritja e çmimit të sigurimit).
Duke pasur parasysh përcaktimet e mësipërme, Avokati i Popullit konsideron se Rregullorja nuk e ka bartur frymën e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe si rezultat i kësaj e ka cenuar pronën e pronarëve të mjeteve, të cilat nuk regjistrohen sipas afateve të paragrafëve 6, 7, 8, 9 dhe 10, të nenit 4.
Përfundimisht, Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme që të ndryshohet Rregullorja për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, përkatësisht neni 4, paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, të harmonizohen me frymën e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, përkatësisht çmimi i pagesës së sigurimit të bazohet vetëm në historikun e dëmeve të të siguruarit.
Avokati i Popullit, duke pasur parasysh rrethanat e theksuara më sipër, i rekomandon Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që të ndryshojë Rregulloren për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, përkatësisht t’i fshijë paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, të nenit 4 të Rregullores.
Raporti i plotë -> https://bit.ly/3RlGlL5