Featured Image

Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksual gjatë Luftës në Kosovë

14/04/2025

Prishtinë, 14 prill 2025 – Në këtë ditë, nderojmë guximin, sakrificën dhe vuajtjet e të mbijetuarve, duke rikujtuar përgjegjësinë tonë kolektive për të kërkuar drejtësi dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Avokati i Popullit thekson se, edhe pas 25 vitesh nga përfundimi i luftës, urdhërdhënësit dhe autorët e këtyre krimeve të rënda ende nuk janë ndëshkuar. Kjo përbën një padrejtësi të thellë ndaj viktimave dhe një barrë morale për ndërgjegjen e shoqërisë. Mosndëshkimi duhet të sfidohet me përkushtim institucional dhe shoqëror të pandërprerë.

Ky mosndëshkim është në kundërshtim me standardet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, të drejtën penale ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Këto instrumente e obligojnë çdo shtet — dhe në këtë rast Serbinë — të hetojë, ndjekë penalisht dhe ndëshkojë autorët e krimeve të luftës, përfshirë dhunën seksuale, si dhe të bashkëpunojë me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.

Avokati i Popullit vlerëson se është thelbësore që vendet demokratike të botës të ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi Serbinë për të identifikuar dhe dorëzuar para drejtësisë urdhërdhënësit dhe kryerësit e këtyre krimeve. Drejtësia ndërkombëtare duhet të mbështesë këtë përpjekje për të vendosur përgjegjësi dhe për të afirmuar të drejtat e njeriut.

Gjithashtu, Avokati i Popullit rikujton rekomandimet e adresuara në raportin ex-officio të publikuar më 31 tetor 2024, ku janë theksuar shqetësimet lidhur me pengesat në realizimin e të drejtave dhe beneficioneve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ndër rekomandimet kryesore përfshihen: ofrimi i shërbimeve shëndetësore falas në të gjitha nivelet e kujdesit publik. institucionalizimi i mbështetjes psiko-sociale, lehtësimi i pajisjes me dokumentacion të nevojshëm, heqja e kufizimeve kohore për dorëzimin e kërkesave për njohjen e statusit të viktimës.

Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e këtyre rekomandimeve, duke siguruar një trajtim me dinjitet, të drejtë dhe të pakushtëzuar për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Drejtësia për viktimat nuk është vetëm një kërkesë morale – është një e drejtë që buron nga ligji ndërkombëtar dhe një parakusht për paqe të qëndrueshme dhe dinjitet njerëzor.