Featured Image

Avokati i Popullit diskutoi me përfaqësues të institucioneve për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës

08/04/2025

Prishtinë, 8 prill 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj ka mbledhur përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës me qëllim të diskutimit për zotimet që kanë dhënë këto institucione për përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) i Këshillit të Evropës, pas vizitës së realizuar në tetor të vitit 2020.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Zyra për Qeverisje të Mirë, Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, Këshilli Prokurorial, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Qendra e Mbajtjes për të Huaj, Instituti Special i Shtimes, shoqëria civile dhe përfaqësues nga Këshilli i Evropës, EULEX dhe UNMIK.

Pjesëmarrësit treguan se shumica e rekomandimeve të CPT-së dhe Institucionit të Avokatit të Popullit janë zbatuar dhe se disa, sa i përket kushteve, infrastrukturës, janë në proces të zbatimit.

Avokati i Popullit tha se është e rëndësishme zbatimi i rekomandimeve sepse ndikon në imazhin e Kosovës dhe në vlerësim të progresit nga institucionet ndërkombëtare që vendi ka arritur në rrugën e integrimeve dhe synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, e që ndërlidhen me përparimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit ka mandat për të kryer inspektime të rregullta në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, institucionet shëndetësor dhe ato të kujdesit social.

MKPT në realizim të funksioneve të tij ligjore, do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet relevante dhe shoqërinë civile në mënyrë që të kryhet monitorimi efektiv dhe të sigurohet respektimi i të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese, qendrat e ndalimit dhe ato psikiatrike.