
U mbajt Konferenca Rajonale: “Rritja e partneritetit ndërmjet institucioneve të Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”
07/04/2025
Prishtinë, 3 prill 2025 – Në një konferencë rajonale të mbajtur sot në Prishtinë, organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit(IAP) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), përfaqësues nga Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC), aktivistë dhe ekspertë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor u mblodhën për të ndarë përvoja dhe për të bashkëbiseduar për hapa të mëtejshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, me fokus në mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.
Pjesëmarrësit nga institucionet homologe si Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Avokati i Popullit të Malit të Zi, Zëvendës Avokatja e Popullit të Kroacisë, përfaqësues nga Avokati i Popullit të Maqedonisë së Veriut si dhe shoqëria civile nga vendet e rajonit, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të strukturuar dhe strategjik midis këtyre aktorëve, si një domosdoshmëri në përputhje me Parimet e Parisit dhe nevojën për veprime të përbashkëta në mbikëqyrjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut, mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe promovimin e një mjedisi të favorshëm për shoqërinë civile.
Diskutimet në kuadër të konferencës nxorën në pah se mbrojtja efektive e të drejtave të njeriut nuk mund të realizohet pa një bashkëpunim të theksuar mes institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut dhe shoqërisë civile dhe se partneriteti është thelbësor. Në fjalën e tij hapëse, Avokati i Popullit i Kosovës, z. Naim Qelaj, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke nënvizuar se “institucionet e Avokatit të Popullit dhe shoqëria civile kanë një qëllim të përbashkët – të mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Për ta realizuar këtë mision, duhet të veprojmë së bashku, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të jemi zëri i atyre që nuk mund të dëgjohen.”
Pjesëmarrësit e konferencës ndanë përvoja dhe sfida nga vendet e tyre, duke vënë theksin në nevojën për një angazhim më të madh në mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, fuqizimin e mekanizmave të monitorimit, ndërveprim më të shtuar me shoqërinë civile dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rolin dhe rëndësinë e institucioneve të Avokatit të Popullit.
Kjo konferencë shënon një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të ngushtë dhe efektiv për të garantuar që institucionet dhe organizatat që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut të kenë ndikim më të madh në përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut.
Përmes kësaj konference rajonale, u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për të fuqizuar mekanizmat e mbrojtjes se të drejtave të njeriut dhe për të ndërtuar ura më të forta bashkëpunimi midis institucioneve për të drejtat e njeriut dhe shoqërisë civile.












