Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në tryezën me temë “Konsistenca e Jurisprudencës dhe Harmonizimi i Praktikës Gjyqësore”

25/03/2025
Prishtinë, 25 mars 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Konsistenca e Jurisprudencës dhe Harmonizimi i Praktikës Gjyqësore”, e organizuar nga zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Në këtë takim morën pjesë krerët e institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë ku u paraqitën edhe gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe sigurisë juridike, të kryer vitin e kaluar nga kjo zyre.
Avokati i Popullit tha se gjatë hetimeve të rasteve është konstatuar rëndësia e ndërtimit dhe fuqizimit të sistemit të drejtësisë duke respektuar parimin e sigurisë juridike që kërkon vendime të qëndrueshme dhe të parashikueshme në njërën anë, e gjithashtu interpretimi dhe zbatimi të ligjit në mënyrë uniforme.
Ai tha se në vazhdimësi ka theksuar se është me rëndësi harmonizimi i praktikës gjyqësore si një përpjekje për të krijuar një qasje të unifikuar ndaj rasteve të ngjashme dhe për të arritur këtë është e domosdoshme rishikimi i vazhdueshëm i praktikës, shkëmbimi i eksperiencave mes gjykatave dhe respektimit të precedentëve të vendosur nga instancat më të larta.
Organizatorët po ashtu ofruan një platformë për dialog gjyqësor dhe shkëmbim mbi konsistencën e jurisprudencës dhe harmonizimin e praktikës në gjyqësorin e Republikës së Kosovës.