
Sqarim për publikun në lidhje me lajmin për përfshirje të Avokatit të Popullit në punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës
Prishtinë, 7 shkurt 2025 – Më 6 shkurt 2025, në edicionin e lajmeve të mbrëmjes së KTV-së u transmetua një lajm lidhur me refuzimin e 344 kërkesave për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në prononcimet e transmetuara, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë ngritur shqetësimin mbi arsyetimet shabllon dhe të njëjta në vendimet mbi refuzimin e njohjes së statusit, si dhe për mungesën e fakteve të shtjelluara mbi bazën e të cilave Komisioni Qeveritar nxjerr vendimet për refuzim të njohjes së statusit.
Në prononcimin e transmetuar të kryetares së Komisionit Qeveritar znj. Leonora Selmani, ndër të tjera potencohet se: Në vendimet e lëshuara të Komisionit në rastet e refuzimit të statusit, Komisioni në bazë edhe të konsultimeve me Avokatin e Popullit, përpilon arsyet e marrjes së këtij vendimi..[…].
Në këtë kontekst, Avokati i Popullit, shpreh shqetësimin se mund të ketë ndodhur një keqkuptim në interpretimin e deklaratës së kryetares së komisionit, duke sqaruar se Avokati i Popullit mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Avokatin e Popullit është institucion i pavarur, që nuk merr udhëzime nga institucionet tjera dhe njëkohësisht nuk ndikon në vendimmarrjen e asnjë insitucioni tjetër publik kompetent në Republikën e Kosovës.
Avokati i Popullit, ka mandatin për të mbrojtur, mbikëqyrur dhe promovuar liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe në rastet kur vlerëson se ka shkelje të këtyre të drejtave nga insitucionet që ushtrojnë autorizime publike në vend, adreson rekomandime ku kërkon ndalimin e shkeljeve dhe rivendosjen e të drejtave të individëve.
Sa i përket çështjes së respektimit të të drejtave të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale, Avokati i Popullit më 22 tetor 2024, ka publikuar Raportin ex-oficio me rekomandime 436/2023, ku sa i përket arsyetimit të vendimeve ka adresuar Komisionit Qeveritar këtë rekomandim: “Me rastin e përpilimit të vendimeve, përbrenda kornizave të ruajtjes së konfidencialitetit të palëve, të respektohen kërkesat ligjore të dala nga neni 47 dhe 48 i Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, respektivisht lidhur me strukturën dhe elementet e detyrueshme të aktit administrativ dhe të arsyetimit.
Gjithnjë në korniza të ruajtjes së konfidencialitetit dhe identitetit të palëve, Avokati i Popullit përmes këtij rekomandimi ka kërkuar që arsyetimet e vendimeve të përmbajnë shkaqet dhe faktet e shtjelluara, e që janë konsideruar të pamjaftueshme dhe kanë rezultuar në marrjen e vendimit refuzues nga ana e Komisionit. Kjo kontribon në informimin e palëve për aryet e qarta të refuzimit të kërkesës së tyre edhe në shfrytëzimin më efektiv të mjeteve juridike në dispozicion të palëve.
Linku i raportit të publikuar: https://bit.ly/4htUPo4