
Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025
Prishtinë, 7 shkurt 2025 – Duke pasur parasysh rëndësinë që ka procesi zgjedhor brenda një sistemi demokratik dhe duke vlerësuar rëndësinë e monitorimit të pavarur, të paanshëm dhe profesional, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) do të vëzhgojë për së afërmi, nga perspektiva e të drejtave të njeriut, Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025, në gjithë territorin e vendit.
Bazuar në mandatin që ka, IAP do të vëzhgojë procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, shtëpitë integruese në bashkësi dhe gjithashtu qendra te rregullta votimi.
Po ashtu, IAP do të mbajë të hapur gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve Zyrën Qendrore në Prishtinë, për të pranuar ankesat eventuale përkitazi me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të procesit të votimit.
Ankesat po ashtu mund të drejtohen edhe nëpërmjet adresës elektronike zyrtare të IAP-së: [email protected] apo në numrat e telefonit + 383 38 223 782 dhe + 383 38 223 783.