Avokati i Popullit diskutoi me studentët e huaj për të drejtat e njeriut
Prishtinë, 23 janar – Avokati i Popullit z. Naim Qelaj priti në takim studentë të programit “The European Master’s Degree in Human Rights and Democratization (EMA)” me seli në Vjenë të Austrisë dhe Venedik të Italisë, të cilët çdo vit vijnë në Kosovë për një vizitë studimore në kuadër të programit të tyre të magjistraturës në lëmin e demokratizimit dhe të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit u shpjegoi studentëve krijimin e institucionit, po ashtu edhe për mandatin dhe kompetencat e tij, për aktivitetet dhe punën në institucion, procedurat e pranimit të ankesave si dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.
Studentët që vijnë nga shtete të ndryshme patën mundësinë të dëgjojnë po ashtu edhe rreth gjendjes së përgjithshme të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe funksionimit të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Në pyetjet e studentëve, z. Qela foli për lirinë e mediave në vend, marrëdhëniet ndër-etnike, infrastruktura ligjore e Republikës së Kosovës, bashkëpunimi me institucione vendore dhe ndërkombëtare, si dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ky bashkëpunim sivjet shënon 21 vjetorin e tij ku më shumë se 2,500 studentë nga e gjithë bota kanë vizituar Kosovën, dhe respektivisht janë shënuar takime me Avokatin e Popullit.