Avokati i Popullit prezantoi punën e 2024-ës para mediave
Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Në konferencën vjetore me media, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi të arriturat dhe sfidat e punës gjatë vitit 2024.
Avokati i Popullit theksoi se 2024-ta ka qenë një ndër vitet më të suksesshme sa i përket trajtimit të ankesave të qytetarëve për pretendimet e tyre për shkelje të drejtave të njeriut. Ai tha se qendra e të dhënave për menaxhimin e rasteve ka përparuar duke arritur një digjitalizim modern, si ndihmesë për procesin e punës dhe për arkivim cilësor.
Avokati i Popullit përmendi disa nga sfidat me të cilat Institucioni është përballur siç është rasti me rënien e kthimit të përgjigjeve nga autoritetet publike në pyetjet e Avokatit të Popullit. Po ashtu, ai theksoi se votimi kundër i raportit të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës është cilësuar si cenim i pavarësisë së punës së Institucionit të Avokatit të Popullit.
Z. Qelaj theksoi se ka rënie edhe në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e institucioneve publike – një barometër që tregon se sa po respektohen të drejtat e njeriut në vend.
Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 1.349 ankesa, me gjithsejtë 4.469 qytetarë të përfshirë në këto ankesa. Nga ky numër i ankesave, 532 raste janë hapur për hetime ndërsa 36 raste janë hapur sipas detyrës zyrtare. IAP ka nisur hetime në 7 raste bazuar nga raportimet e mediave.
Qytetarët më së shumti janë ankuar në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (171 raste), pastaj e drejta për mjete juridike (145), 70 ankesa janë bërë në lidhje me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, mbrojtja shëndetësore de sociale me 67 raste të hetuara, si dhe 47 raste të hetuara për ankesat në lidhje me të drejtën për barazi para ligjit.
Autoritetet përgjegjëse ndaj të cilave janë drejtuar ankesat (një ankesë mund të ketë më shumë se një pale përgjegjëse) janë: Ministritë/administrata me 440 raste, Gjykatat me 419 raste, Komunat me 210 raste, Policia e Kosovës me 89 raste e të tjera.
Numri i përgjithshëm i rasteve të mbyllura nga IAP gjatë vitit 2024 (përfshirë edhe rastet e regjistruara më herët e të mbyllura gjatë këtij viti) është 874. Nga kjo shifër, 307 janë zgjedhur pozitivisht, 190 raste kanë qenë të papranueshme sepse nuk është gjetur shkelje apo keqadministrim, 56 raste të papranueshme sepse rastet kanë qenë në shfrytëzim të mjeteve juridike, 241 raste janë mbyllur me raport, 39 të papranueshme, mos shfrytëzim i mjeteve juridike; 33 raste janë mbyllur për shkak të mosinteresimit të ankuesit, dështim i palës; dhe 8 raste tjera kanë qenë të papranueshme për shkak se rastet kanë qenë jashtë juridiksionit.
Për vitin 2024, Avokati i Popullit ka nxjerrë 172 rekomandime, prej të cilave vetëm 17 për qind janë zbatuar nga ana e institucioneve publike; rekomandime të pazbatuara janë 8 për qind; Rekomandime pjesërisht të zbatuara janë 4 për qind, ndërsa në pritje për zbatim mbesin 71 për qind e rekomandimeve.