Featured Image

Komunikatë për media – Avokati i Popullit dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës Raportin vjetor 2023 për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi

11/12/2024

Prishtinë, 11 dhjetor 2024 – Avokati i Popullit, bazuar në nenin 9, paragrafi 2, nën-paragrafi 12 të Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi, ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës Raportin vjetor 2023 për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Ky raport, i mbështetur nga Këshilli i Evropës, është rezultat i përpjekjeve të Avokatit të Popullit për të mbikëqyrur në mënyrë sistematike zbatimin e këtij ligji. Ky raport paraqet një pasqyrë të sfidave dhe boshllëqeve në zbatimin e dispozitave ligjore kundër diskriminimit.

Raporti thekson disa probleme kryesore, përfshirë:

  • Vetëdijen e ulët institucionale për domosdoshmërinë e mbledhjes së të dhënave dhe evidentimit të rasteve të diskriminimit;
  • Mungesën e disa nga hallkat themelore të sistemit të përgjithshëm të parandalimit dhe mbrojtjes kundër diskriminimit;
  • Mungesën e zbatimit të procedurave kundërvajtëse për rastet e diskriminimit;
  • Zbatimin e mangët të Ligjit nga gjykatat.

Duhet theksuar se mungesa e dëshmive institucionale për shkeljet e Ligjit nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen reale, pasi raportimet dhe ankesat për diskriminim në sektorin publik dhe privat mbeten të shpeshta.

Raporti përfshin gjashtë rekomandime konkrete dhe praktike, të cilat synojnë përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe garantimin e një mbrojtjeje më efektive ndaj diskriminimit.

Avokati i Popullit riafirmon përkushtimin e tij për avancimin e barazisë dhe mbrojtjen kundër diskriminimit – vlera themelore të shtetit dhe shoqërisë sonë.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu -> https://bit.ly/4gqel3m