Shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar
Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga OJQ “Handikos” për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Z. Qelaj tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka adresuar gjatë viteve një sërë çështjesh të lidhur me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, përmes raporteve dhe rekomandimeve drejtuar autoriteteve shtetërore.
Avokati i Popullit tha se kontribut të veçantë për këto punë janë dhënë edhe nga vet personat me aftësi të kufizuar të cilët kanë ndihmuar në identifikimin e problemeve që ata ballafaqohen, me mangësitë që janë në sistem dhe në legjislacion, edhe nevojën për të ndryshuar.
Avokati i Popullit theksoi se përfaqësimi i personave me aftësi të kufizuara në grupet punuese në hartim të politikave dhe strategjive, është e domosdoshëm. “Nuk mund të flasim për qasje gjithëpërfshirëse dhe të koncentruar në vet nevojat e personave me aftësi të kufizuara nëse nuk janë pjesë e grupeve punuese dhe nëse nuk përfshihen në vendimmarrje të autoriteteve publike. Besoj në këtë frymë, ne vazhdimisht kemi mbajt diskutime të përbashkëta se cilat hapa duhen ndërmarrë apo veprime të nevojshme për përmirësimin e drejtave të personave me aftësi të kufizuar,” tha z. Qelaj.
Avokati i Popullit tha se gjatë këtyre viteve të fundit nuk është parë që ka një politikë të mirëfilltë të buxhetimit të shërbimeve, nuk është bërë ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për financimin e pushtetit lokal, ku përfshihet edhe granti specifik për çështje sociale, nuk ka përmirësim të shërbimeve duke veçuar këtu shërbimet fizikale, që është një nevojë e drejtë për personat me aftësi të kufizuara.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar shënohet çdo vit më 3 dhjetor, e vendosur me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri, si në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.