Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara
Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila shënohet më 3 dhjetor, Avokati i Popullit riafirmon angazhimin e tij për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së autoriteteve shtetërore lidhur me respektimin e këtyre të drejtave. Kjo ditë është një rikujtim për rëndësinë e përfshirjes, diversitetit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor për të gjithë individët, pa dallim.
Personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë dhe kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm. Për këtë arsye, është përgjegjësi e institucioneve dhe e çdo qytetari të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar trajtim të barabartë, pa diskriminim dhe përfshirje sociale.
Megjithatë, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me sfida të shumta në qasjen në shërbime shëndetësore, arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike.
Avokati i Popullit ka adresuar gjatë viteve një sërë çështjesh të lidhur me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, përmes raporteve dhe rekomandimeve drejtuar autoriteteve shtetërore. Disa prej rekomandimeve, si ai për rivlerësimin mjekësor të aftësisë së kufizuar për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kanë çuar në ndryshimin e rregullatives që ishte në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.
Zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit lidhur me kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara në komunat e Kosovës ka mbetur i ulët dhe se shumica e komunave vazhdojnë të shkelin të drejtat e personave me aftësi të kufizuar për qasje në objekte dhe hapësira publike.
Avokati i Popullit vlerëson se institucionet kompetente nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme në avancimin e të drejtave dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara. Edhe pse amendamenti kushtetues për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese më 3 gusht 2023, kjo Konventë ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Për këtë arsye, Avokati i Popullit i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe autoriteteve përkatëse që të planifikojnë dhe buxhetojnë zbatimin e saj. Qëllimi i kësaj Konvente është të nxisë, mbrojë dhe sigurojë që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre.