U mbajt tryezë më rastin e shënimit të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore
Prishtinë, 27 nëntor 2024 – Në kuadër të shënimit të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, Avokati i Popullit së bashku me Qendrën për Barazi dhe Drejtësi dhe Asociacionin e Gruas “Feminae”, organizuan një tryezë për të diskutuar lidhur me të arriturat dhe sfidat në zbatimin e Konventës së Stambollit.
Tryeza e rrumbullakët pati për synim të zhvillojë diskutim me përfaqësuesit e institucioneve publike, shoqërisë civile, përfaqësues të mediave dhe me qytetarë të komunës së Prizrenit, Suharekës dhe Mamushës, mbi respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut me theks të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të grave si dhe luftimin e dhunës më bazë gjinore.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se është i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në përgjithësi, për ta parandaluar dhunën ndaj grave dhe për të arritur një qëndrim dhe opinion të përbashkët se dhuna kundër grave është e papranueshme dhe e pa tolerueshme.
Ai tha se shpreson që Policia e Kosovës së shpejti do të vë në funksionim mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të Gjykatës dhe do të shërbente për mbrojtjen viktimave të krimit në përgjithësi, e me fokus në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Z. Qelaj po ashtu foli për rolin e gjyqësorit dhe prokurorisë, e po ashtu për rolin e mbrojtësve të viktimave duke shtuar se sa më të fuqishëm janë këto mekanizma, aq më shumë do të luftohet dhe parandalohet dhuna në familje.
Avokati i Popullit tha se arsimimi, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile po ashtu luajnë rol të veçantë në luftimin e dhunës në familje. Ai shtoi se Konventa e Stambollit kërkon përafrimin dhe harmonizimin e kuadrit legjislativ vendor dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve për të siguruar zbatimin e duhur në praktikë.
Përfaqësuesit e prokurorisë, policisë, universitetit publik, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile folën për punën dhe sfidat e tyre në punë sa i përket rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
Pjesëmarrësit po ashtu u informuan mbi kompetencat dhe punën e Avokatit të Popullit, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.