Featured Image

Fjalimi i Avokatit të Popullit Naim Qelaj me rastin e shënimit të Përvjetorit të 24-të të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit

22/11/2024

Të nderuar të pranishëm!

Të nderuar përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës!

E nderuara kryetare e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani!

Të nderuar përfaqësues të sistemit të drejtësisë, të institucioneve të pavarura, të Shoqërisë Civile, të Policisë së Kosovës, të mediave!

Të nderuar përfaqësues diplomatikë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë!

Të dashur miq e bashkëpunëtorë të Avokatit të Popullit!

Zonja e zotërinj!

Më lejoni që në emrin tim dhe të Institucionit të Avokatit të Popullit, t’ju uroj mirëseardhje dhe t’ju falënderoj përzemërsisht që jeni bashkuar me ne për të festuar 24-vjetorin e themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Kur para 24 vjetësh u themelua Institucioni i Avokatit të Popullit, vendi ishte në një periudhë të rëndë, si pasojë e luftës dhe dëmeve që kishte shkaktuar ajo. Nga ajo që sot mund të them për atë periudhë, është fakti se themelimi i Institucionit të Avokatit të Popullit u prit me entuziazëm dhe me shumë shpresë nga qytetarët, duke e konsideruar si një mundësi të veçantë për t’i adresuar shqetësimet e hallet që ata kishin dhe për të kërkuar mbrojtje në çdo situatë kur konsideronin se po u cenoheshin të drejtat e tyre.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka vazhduar për 24 vjet të ndërtohet si një institucion i cili gëzon besimin e qytetarëve dhe është në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe të lirive themelore.

Ndihma nga misionet dhe organizatat ndërkombëtare, e posaçërisht mbështetja e OSBE-së, kanë pasur një ndikim kyç, sepse kanë mundësuar që institucioni të ndërtohet sipas standardeve dhe parimeve më të avancuara për institucionet e pavarura për të drejtat e njeriut. I është dhënë rëndësi ruajtjes së pavarësisë dhe vendosjes së mekanizmave kushtetues e ligjorë që garantojnë dhe që nuk lejojnë në asnjë rrethanë ndërhyrje dhe cenim të kësaj pavarësie.

Avokati i Popullit, duke fuqizuar rolin e tij dhe duke ushtruar mandatin e vet, ka dhënë kontribut të rëndësishëm për shtetndërtim, duke rrugëtuar së bashku me institucionet e tjera në ndërtimin e një demokracie të bazuar në standardet dhe në vlerat më të larta të funksionimit demokratik, ku në qendër ka mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Për të arriturat e Institucionit tonë, unë sot shpreh mirënjohjen time për angazhimin dhe punën e palodhshme të stafit të Institucionit të Avokatit të Popullit, që nga themelimi e deri më sot. Kontributin e dhënë nga ish-Avokatët e Popullit, z. Marek Antony Nowicki, z. Sami Kurteshi dhe z. Hilmi Jashari, zëvendësit e avokatëve dhe të gjithë atyre që me punën dhe angazhim profesional kanë ndihmuar që Avokati i Popullit sot të gëzojë respekt dhe autoritet si partner serioz në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare ku është anëtarësuar, dhe, më kryesorja, besim të lartë nga qytetarët, si një ndër institucionet më të besueshme, që luan rol të veçantë në mbrojtjen e vlerave demokratike që janë krijuar në shoqërinë tonë, duke e ruajtur të pacenueshme pavarësinë e vet, neutralitetin në raport me çështjet politike, vendosjen e balancës ndërmjet pushteteve dhe në rolin e vet kryesor: mbrojtjen e qytetarit në çdo rast kur u cenohen të drejtat e tyre nga autoritetet publike.

Duhet thënë se kemi pasur mbështetjeje të vazhdueshme institucionale, sepse ka ekzistuar vullnet politik. Ky vullnet është parë përmes rregullimit kushtetues dhe ligjor në përcaktimin e mandatit të Avokatit të Popullit dhe vendosjen e mekanizmave që e ruajnë institucionin të pandikuar nga çdo lloj ndërhyrjeje.

Shoqëria civile e Kosovës vazhdimisht ka përkrahur dhe ka mbështetur punën tonë. Ka ofruar ekspertizën e saj dhe ka vënë në pah çështjet jetike, të cilat kërkojnë trajtimin dhe vëmendjen tonë e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e sundimit të ligjit, të demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.

Ndihma dhe mbështetja e organizatave dhe e agjencive ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë kanë ndihmuar që ne të jemi në të njëjtën linjë dhe të ecim krahas trendëve dhe zhvillimeve të vendeve demokratike të Evropës.

Nuk mund të mos e përmend bashkëpunimin tonë me mediat në Kosovë, për gatishmërinë që kanë treguar që të pasqyrojnë punën tonë në publik.

Ajo që sot dua ta theksoj, posaçërisht, është mbështetja nga qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët duke na u drejtuar për shqetësimet e tyre, vazhdojnë të na besojnë, ani pse ne shpeshherë mbesim dera e fundit për t’u dalë në mbrojtje.

Gjithë ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë. Jemi përballur edhe me vështirësi. Kjo për shkak se nuk është kuptuar mjaftueshëm koncepti i rolit dhe i mandatit të Avokatit të Popullit. Shpesh autoritetet nuk i kanë respektuar qëndrimet e opinionet tona, ka pasur ngecje në zbatimet e rekomandimeve, vonesa në kthimin e përgjigjeve, si dhe veprime të tjera që kanë penguar punën tonë, sidomos në situata të krizave nëpër të cilat kemi kaluar.

Megjithatë, vështirësitë nëpër të cilat ne kemi kaluar, na kanë fuqizuar deri në atë masë që ne sot të arrijmë t’i bëjmë ballë çdo presioni edhe në situatë krizash, duke ruajtur pavarësinë tonë dhe duke vepruar gjithmonë në interes të parimeve nga të cilat udhëhiqemi.

Shumë herë autoriteteve nuk u shkon për shtati ajo që në konstatojmë e shprehim në opinionet e qëndrimet tona, por është detyrë jona që të përkujdesemi që veprimet e tyre të jenë në pajtim me respektimin e të drejtave të njeriut dhe sa herë konstatojmë që ka shkelje, ne do të reagojmë sipas përgjegjësisë që kemi.

Natyrisht në çdo situatë kur ndaj nesh ndërmerren veprime që kanë edhe elemente të kanosjes ndaj pavarësisë sonë, duke mos miratuar qëndrimet tona e duke votuar kundër raporteve që adresojmë, ky është tregues që ne po e bëjmë mirë punën tonë dhe sipas përgjegjësisë që kemi.

Dhe jo vetëm ne, por edhe institucionet e tjera të pavarura duhet ta kuptojnë se roli jonë është i tillë, sa herë që gjejmë shkelje dhe punojmë në përputhje me detyrat tona, do të këtë reagime të kësaj natyre.

Unë jam i lumtur që sot në Kosovë ka institucione të pavarura që e kryejnë punën e vet, pa rënë pre e asnjë presioni, të pavarura dhe pa ndikime, duke vepruar në interes të qytetarëve dhe mbrojtjes së vlerave të demokracisë.

Jam shumë i sigurt se Institucioni i Avokatit të Popullit do të vazhdojë të jetë në rolin e tij, do ta rrisë edhe më tej besimin në publik përmes fuqizimit të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, ashtu që me punën e vet të ndikojë në përmirësimin e autoriteteve publike në atë mënyrë që në çdo veprim të tyre ta kenë kujdesin institucional për respektimin e ligjit dhe të të drejtave dhe të lirive themelore.

Avokati i Popullit do të vazhdojë të jetë institucion i rëndësishëm kushtetuese në Kosovë, duke qenë pjesë e zhvillimit dhe progresit dhe garanci për të ardhmen. Unë besoj se perspektiva për të ardhmen kërkon besim, angazhim e përkushtim, të cilat nuk do të mungojnë asnjëherë nga unë dhe as nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në fund të këtij fjalimi, dua t’ju falënderoj edhe një herë për bashkëpunimin, për mbështetjen dhe për pjesëmarrjen tuaj në këtë përvjetor, duke ju uruar të kaloni sa më mirë në këtë mbrëmje!