Featured Image

Avokati i Popullit takoi gjyqtarët e sapoemëruar

22/11/2024

Prishtinë, 22 nëntor 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj me bashkëpunëtorë priti në takim gjyqtarët e sapoemëruar me të cilët bashkëbiseduan për të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë si dhe për punën e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj fillimisht foli për historikun e institucionit, i cili shënon 24 vite këtë muaj që nga themelimi, dhe theksoi se Institucioni çdo herë e më shumë po forcohet në rolin e tij në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut.

Ai në  vazhdim foli për rolin dhe mandatin e tij, punën dhe aktivitetet e Institucionit, si dhe për punën e Avokatit të Popullit që ndërlidhet me gjyqësorin, për të cilin tha se ka një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtën e të drejtave dhe respektimit të standardit për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Avokati i Popullit tha se ankesat më të mëdha të qytetarëve kanë të bëjnë me zvarritjet e procedurave gjyqësore, gjë që kjo shton një nevojë imediate për rritjen e efikasitetit të gjykatave.

Avokati i Popullit po ashtu shpjegoi se me raste jep opinione në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curie), pastaj roli i Avokatit të Popullit në procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve, dhënies së asistencës viktimave të diskriminimit, dhënies së rekomandimeve për institucionet publike për zbatimin e detyrimeve në fushën e ndalimit të diskriminimit dhe të barazisë, referimit të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe në mekanizma të tjerë që përcaktohen me ligje të veçanta.

Gjyqtarët e rinj patën mundësinë që të bashkëbisedojnë dhe u interesuan edhe për fushat tjera që Avokati i Popullit i ka në mandat, e në veçanti çështje që ndërlidhen me gjyqësinë.

Akademia e Drejtësisë organizon trajnim një vjeçar për gjyqtarët e sapoemëruar, ku krahas trajnimit praktik nëpër gjykata, gjyqtarët të cilët janë duke e ndjekur trajnimin fillestar realizojnë vizita në institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Avokati i Popullit i uroi gjyqtarët e rinj për detyrën e re duke iu dëshiruar suksese në punën e tyre.