Featured Image

U prezantua raporti “Zërat e Rinj” për vitin 2024

20/11/2024

Prishtinë, 21 nëntor 2024 – Për nder të Ditës Botërore të të Drejtave të fëmijëve, u mbajt konferenca për lansimin e raportit “Zërat e Rinj”, për vitin 2024, e cila u realizua nga Save the Children Kosova/o në bashkëpunim me Institucionin e Avokati të Popullit, e cila pasqyron mendimet dhe qëndrimet e fëmijëve kosovare për tema të ndryshme.

Anketa “Zërat e Rinj” paraqet ndjenjat dhe perspektivat e 1071 fëmijëve në mbarë Kosovën mbi çështje të rëndësishme si siguria, arsimi, ndryshimet klimatike, bullizmi, shëndeti mendor, shëndeti seksual dhe riprodhues, pjesëmarrjen e tyre dhe fusha të tjera të cilat ndikojnë në të drejtat dhe mirëqenien e tyre.

Duke u përqendruar tek zërat e fëmijëve, anketa Zërat e Rinj shërben si një mjet i vlefshëm që zbulon shqetësimet dhe propozon zgjidhje nga fëmijët për fëmijët. Rezultatet e anketës tregojnë se 83% e fëmijëve shprehën dëshirën për më shumë ndikim, fuqi dhe mundësi për t’i shprehur pikëpamjet e tyre për çështjet që i shqetësojnë ata dhe të rinjtë e tjerë.

Të gjeturat tjera përfshijnë: vetëm 9% e fëmijëve kanë marrë pjesë në ndonjë konsultim publik të organizuar nga komuna e tyre ose qeveria gjatë dy viteve të fundit; 91% e fëmijëve të anketuar pajtohen se komuna e tyre duhet të investojë më shumë në hapësira publike për të rinjtë dhe fëmijët; dhe 64% e fëmijëve do të dëshironin të merrnin pjesë në konsultime publike.

Raporti gjen se 29% e fëmijëve raportuan se rrallë ose kurrë nuk ndihen të sigurt kur përdorin transportin publik gjatë natës. Ky shqetësim është më i theksuar tek vajzat, ku 35% e shprehin këtë ndjenjë krahasuar me 19% të djemve; 26% e fëmijëve nuk dinë ku ta adresojnë depresionin, trishtimin e tyre; 37% nuk dinë se ku të shkojnë kur ata vet ose ndonjë i njohur është ekspozuar ndaj dhunës, kërcënimit ose krimeve të tjera; 33% nuk dinë ku ta adresojnë trajtimin e padrejtë; 68% e fëmijëve besojnë se fëmijët në Kosovë përjetojnë diskriminim; 86% e fëmijëve mendojnë se shkollat e tyre duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj përgëzoi të rinjtë për këtë punë dhe theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit do të shërbehet me këto të dhëna për të parë se si mund të jetë edhe më afër fëmijëve dhe të rinjve.

“Të gjeturat e raportit theksojnë nevojën që kemi ne si Institucion për promovim të mandatit dhe të të drejtave të njeriut. Natyrisht kjo bëhet për të qenë sa ma afër jush, sa ma afër qytetarëve,” tha z. Qelaj.

Neni 12 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF) thekson të drejtën e fëmijëve për t’u dëgjuar dhe për pjesëmarrje. Ky nen vë në pah rëndësinë e njohjes së fëmijëve si pjesëmarrës aktivë në jetën e tyre dhe në shoqëri. Duke siguruar që zëri i fëmijëve të dëgjohet, neni 12 nxit një ndjenjë të lirisë dhe fuqizimit, duke u mundësuar kështu fëmijëve të kontribuojnë në proceset vendimmarrëse që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.