Featured Image

Institucioni i Avokatit të Popullit mbajti tryezë diskutimi për të drejtat pronësore të grave

20/11/2024

Prishtinë, 20 nëntor 2024 – Në kuadër të shënimit të përvjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, Avokati i Popullit e ka mbajtur një tryezë me temë “Të drejtat pronësore të grave: Korniza ligjore, teoria dhe praktika”.

Në tryezë të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Avokati i Popullit në hapje të kësaj konference shpalosi qëndrimet e tij rreth të drejtës pronësore të grave duke vënë në pah se vetëm rreth 20 për qind të grave janë pronare të regjistruara, se korniza ligjore nuk gjen zbatim, dhe se ekzistojnë praktika të gabueshme gjatë njohjes së të drejtave pronësore të grave dhe vajzave.

Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se legjislacioni i Republikës së Kosovës siguron të drejta plotësisht të barabarta pronësore për të gjithë pa dallime, dhe përmban masa sigurese për realizimin e këtyre të drejtave.

Përkundër këtij fakti, sfidat kryesore për gëzimin e plotë të drejtave pronësore nga ana e grave paraqiten në praktikë e që janë e drejta zakonore, normat kulturore, informaliteti, mos informimi i mjaftueshëm për të drejtat në trashëgimi, mos informimi i të gjithë trashëgimtarëve për inicimin e procedurës së trashëgimisë, si dhe zvarritjet e procedurave gjyqësore që kanë të bëjnë me çështjet e të drejtave pronësore. Po ashtu sfidat tjera janë heqja dorë nga trashëgimia, realizimi i të drejtave në trashëgimi nga bashkësia jo martesore dhe një numër çështjesh të cilat u shpalosën sikur nga panelistët ashtu edhe nga pjesëmarrësit.

Theks i veçantë i është kushtuar të drejtës për të hequr dorë nga prona, e cila përcaktohet me ligj, por që lidhur me këtë të drejtë nga të pranishmit janë shfaqur qëndrime të ndryshme,  nëse heqja dorë do të duhej të bëhet pas fitimit të pronës nga apo që kjo e drejtë të ushtrohet pas fitimit të pronës, gjë që do të forconte pozitën e grave dhe vajzave për nga aspekti i të drejtave të tyre.

Konkluzionet kryesore që dolën nga kjo tryezë janë zbatimi i plotë i ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore, vetëdijesimin dhe informimin e plotë të grave me të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, si dhe zvogëlimin e informalitetit në të drejtat pronësore.

Panelistët që kontribuan në këtë diskutim, ekspertë në fushën e të drejtës pronësore, ishin  z. Xhevat Azemi, Ekspert Ligjor, z. Abdulla Aliu, Profesor në Universitetin e Prishtinës dhe z. Adem Vokshi, Avokat.