Featured Image

U prezantua raporti i Avokatit të Popullit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

19/11/2024

Prishtinë, 19 nëntor 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi të martën në një tryezë raportin e kryer sipas detyrës zyrtare në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë zhvillimit të procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë dhe pengesat për realizimin e beneficioneve të përcaktuara me ligj.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se kjo tryezë mëton të hap diskutimin për sfidat dhe vështirësitë aktuale me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës seksuale të luftës. Ai tha se viktimat kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme duke mos lejuar që të mbesin të izoluara, të luftohen paragjykimet dhe të ofrojmë trajtim dhe mbështetje nga të gjithë.

“Si shoqëri kemi përgjegjësi dhe detyrime në raport me viktimat e luftës duke njohur dhimbjet dhe vuajtjet e tyre nëpër të cilat kanë kaluar e pastaj duke vendosur drejtësi si një garanci që këto krime të mos mbesin të pa ndëshkuara dhe garanci e mos përsëritjes”, tha z. Qelaj.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu e cila tha se rruga për te drejtësia nuk është kurrë e lehtë dhe nuk ka mbaruar. “Procesi i verifikimit që filloi para disa vitesh nëpërmjet komisionit është vetëm fillimi në mbështetje të të mbijetuarave. Kemi ende shumë punë për të bërë—punë për t`u siguruar që çdo e mbijetuar ta marrë mbështetjen dhe njohjen që u nevojitet për ta rindërtuar jetën, por mbi të gjitha që përgjegjësit krimeve të dalin para drejtësisë,” tha Presidentja Osmani Sadriu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se, një nga përpjekjet më të rëndësishme që duhet shtuar si shoqëri është të luftojmë paragjykimet dhe stigmatizimin që ende ndjekin të mbijetuarat. “Askush nuk duhet të ndjejë turp për një dhimbje të imponuar, e askush nuk duhet të ndjejë barrën e heshtjes”, tha Ministrja Haxhiu.

Diskutimet vazhduan me kontribut nga përfaqësues tjerë institucional, si nga sektori i gjyqësorit dhe prokurorisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, e në veçanti ato organizata që kanë punuar me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në këtë raport, Avokati i Popullit ka identifikuar disa zbrazëtira ligjore, dhe ka rekomanduar ndryshime dhe plotësime në legjislacion, me qëllim të fuqizimit të mbrojtjes së të drejtave të viktimave në procesin e aplikimit dhe të njohjes së statusit si dhe mundësimin e gëzimit të beneficioneve të garantuara me ligj.

Mes shumë çështjeve të trajtuara dhe të adresuara në këtë raport, Avokati i Popullit thekson rëndësinë e sigurimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore në institucione publike të nivelit primar, sekondar dhe terciar pa pagesë për viktimat.

Raporti thekson edhe garantimin me rregullativ ligjore të ofrimit të shërbimeve psiko-sociale për viktimat, pajisjen me dokumente të nevojshme me qëllim të mundësimit të realizimit të beneficioneve, e po ashtu edhe mos kufizimin në afat kohor të dorëzimit të kërkesave për njohje dhe verifikim të statusit.

Pjesë e rëndësishme e këtij procesi është angazhimi për të adresuar zbrazëtirat ligjore dhe për të siguruar marrjen e shërbimeve të nevojshme, duke kontribuar në një mbështetje më të efektshme për viktimat, si dhe duke krijuar një ambient ku të drejtat e tyre respektohen plotësisht.