IAP mbajti tryezë diskutimi për shëndetin mendor të fëmijëve
Prishtinë, 18 nëntor 2024 – Institucioni i Avokatit të Popullit mbajti një tryezë diskutimi në lidhje me shëndetin mendor të fëmijëve duke prezantuar të gjeturat preliminare të raportit për përgjegjësitë e shtetit në raport me mbrojtjen e fëmijëve.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se Kushtetuta dhe korniza ligjore e Republikës së Kosovës ka përcaktuar qartë detyrimet dhe përgjegjësitë që ka shteti në raport me të drejtat e fëmijëve dhe detyrimit për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Duke theksuar disa nga të gjeturat, Avokati i Popullit tha se ekziston mungesë e mekanizmave sistematike për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfida të shëndetit mendor dhe kufizimi i qasjes në mbështetjen e specializuar psikologjike në kujdesin parësor dhe dytësor.
Avokati i Popullit po ashtu potencoi nevojën për numër më të madh të psikologëve në shkolla. Ai tha se numri i vogël i psikologëve në shkolla rrjedh edhe si rezultat i vetë kornizës ligjore dhe përcaktimit të psikologëve në shkolla bazuar në numrin e nxënësve, që shpesh herë një numër të madh të fëmijëve mbeten pa përfshirje të këtij kujdesi.
Z. Qelaj tha se stigma dhe perceptimi negativ për shërbime psikologjike mbesin si barrierë për kërkimin e ndihmës psikologjike.
Pjesëmarrësit që vinin nga dikastere dhe profile të ndryshme që kryesisht punojnë me fëmijë kontribuuan në diskutim duke shtuar, ndër të tjera, se është e nevojshme që të punohet më shumë në identifikimin e hershëm të problemeve tek fëmijët.
Po ashtu në tryezë u theksua nevoja që të punohet më shumë në ngritjen e vetëdijes tek prindërit në lidhje me stigmën, të punohet në trajtim më të dinjitetshëm, dhe se komunat duhet të shtojnë resurset kur flitet për shëndetin mendor.