Featured Image

IAP prezantoi të gjeturat nga takimet me qytetarë

08/11/2024

Prishtinë, 8 nëntor 2024 – Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Kosovë organizuan një tryezë në të cilën u paraqitën të gjeturat pas takimeve të mbajtura në disa komuna të Kosovës lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, me theks të veçantë të drejtave të komuniteteve.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të bashkëbiseduar me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet lokale për shumë çështje që ata i kanë konsideruar me rëndësi dhe që ndërlidhën me mandatin e Avokatit të Popullit.

Z. Qelaj tha se komunat janë autoritetet që ballafaqohen me problemet e përditshme dhe praktike të jetës së qytetarëve dhe nga puna e tyre është e varur edhe marrja e shërbimeve të domosdoshme që ndikojnë në mirëqenën dhe jetën e qytetarëve.

“Politikat sociale akoma nuk kanë arritur të jenë prioritet i qeverisjeve lokale duke mbisunduar politikat zhvillimore në infrastrukturë, e që edhe përkundër investimeve, në shumë raste nuk kanë plotësuar nevojat elementare dhe jetike, si furnizim me ujë të pijes, kanalizimit  të ujerave të zeza,  e të tjera,” tha z. Qelaj.

Ai tha se pavarësisht politikave të mira të qeverive lokale shpesh mungojnë kapacitetet për të mbuluar të gjitha nevojat e qytetarëve dhe është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe koordinimi me pushtetin qendror.

Avokati i Popullit shtoi se politikat e planifikimit hapësinor dhe ruajtja e mjedisit janë anashkaluar në shumë raste, duke mos arrit të balancohet nevoja për zhvillim ekonomik me rëndësinë që ka ruajtja e mjedisit.

Ndër problemet tjera që janë identifikuara janë ndotja e tokës dhe lumenjve, menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, mungesa e inspektorëve të mjedisit, zhurma, mungesa e ujit të pijes në fshatra të ndryshme të Kosovës, mungesa e rrjetit të kanalizimit dhe mospërfshirja e qytetarëve në vendimmarrje.

Çështje tjera të identifikuara nga takimet me qytetarë janë mungesa e përdorimit të gjuhës amtare në proceset administrative, gjyqësore dhe në shërbimet shëndetësore, mungesa e përdorimit të gjuhës amtare gjatë testimeve për punësim (FSK, Polici), mungesa e shoqërive civile nga radhët e komuniteteve dhe nevoja për bashkëpunim të përfaqësuesve nga radhët e komuniteteve me qytetarët dhe vizita në terren.

Znj. Cornelia Taylor, ushtruese e detyrës se Shefit të Misionit të OSBE- së në Kosovë, ka thënë se e mbështesin dialogun mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe mundësin për të mbrojtur të drejtat e Njeriut. “Takimet i lejuan fshatrat, nga njëra anë të mësojnë për mandatin tuaj, të ngritin shqetësimet e tyre dhe të kërkojnë këshilla nga ju, gjë që e kuptoj se funksionoi shumë mirë. Dhe gjithashtu na lejoi të fillojmë të përpilojmë këto shqetësime për të cilat do të flasim sot”, tha ajo.

Ministri për komunitete dhe kthim, z. Nenad Rashiq tha se komunat e vogla nuk kanë kapacitete qe t’i ushtrojnë këto kompetenca që në nivel të tyre sidomos në gjithë përfshirjen sociale.

“Shërbimet sociale janë shumë komplekse dhe përfshijnë një numër të madh shërbimesh të cilat komunat nuk kanë kapacitete, kështu që ne kemi punuar që t’i ndihmojmë nga institucionet qendrore që të arrijnë një nivel më të lartë dhe do duhej të kenë një propozim të asaj që kemi quajtur grant specifik ose të posaçëm që do duhej të ndahej nga qeveria”, tha z. Rashiq.

Në këtë takim prezent ishte edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i cili nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Avokatin e Popullit në mënyrë që të përmirësohet gjendja e të drejtave të njeriut në këtë komunë. Ai shtoi se komuna përballet me një situatë të vështirë për shkak të padive që ndërlidhen me kontratën kolektive dhe kërkoi që Ministria e Financave t’u jep përgjigje komunave në lidhje me këtë çështje dhe të ngritët në alarm e të ndalohet kjo praktikë.

Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Kosovë kanë organizuar takime në Graçanicë, Mamushë, Dragash, Klinë, Rahovec, Letnicë dhe Shtërpcë.