Featured Image

Mbahet takimi i Forumit për Dialog mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

29/10/2024
Prishtinë, 29 tetor 2024 – U mbajt takimi i tretë i rregullt i punës për vitin 2024, i Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile. Takimi kishte si qëllim diskutimin e çështjeve dhe sfidave aktuale të të drejtave të njeriut në vend, si dhe koordinimin e aktiviteteve për shënimin e përbashkët të 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Avokati i Popullit z. Naim Qelaj i informoi të pranishmit mbi çështjet dhe raportet që së fundmi Institucioni i Avokatit të Popullit ka adresuar institucioneve përgjegjëse, duke diskutuar gjithashtu shqetësimet e ngritura për shkeljet e të drejtave të njeriut.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile sollën në vëmendje disa çështje me rëndësi për qytetarët si: roli i këshillave të bashkësive lokale, dëgjimi dhe adresimi i shqetësimeve të tyre; mobilizimin e disa organizatave për të monitoruar gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore; sfidat me të cilat përballen fëmijët me dëmtime në dëgjim në procesin arsimor si: mungesa e gjuhës së shenjave dhe shkathtësive pedagogjike te mësimdhënësve, mungesa e materialeve te përdorura, mungesa e interpretëve të gjuhës së shenjave dhe mungesa e gjuhës së shenjave si lëndë mësimore.
Po ashtu, si shqetësim u ngrit edhe propozimi për dhënien në udhëheqje të operatorëve ekonomik privat të kopshteve publike të fëmijëve në Komunën e Ferizajt, e gjithashtu edhe nevojën për fuqizimin e bashkëpunimit dhe ngritjen e vetëdijesimit për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave themelore tek të rinjtë.