
Avokati i Popullit po merr pjesë në Konferencën e 16-të Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombuds-ve të Forcave të Armatosura
01/10/2024
Prishtinë, 1 tetor 2024 – Në Berlin të Gjermanisë, ka hapur punimet Konferenca e 16-të Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombuds-ve për Forcat e Armatosura (ICOAF), në të cilën po merr pjesë Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj.
Përgjatë dy ditëve, 120 përfaqësues nga 40 institucione të ombuds-ve, komisionerë dhe inspektorë të përgjithshëm nga e gjithë bota do të diskutojnë së bashku përkitazi me: “Forcat e Armatosura nën presion: Institucionet e ombudspersonit dhe detyra e kujdesit ndaj anëtarëve të shërbimit”.
Qëllimi kryesor i Konferencës së këtij viti është bashkëbisedimi dhe artikulimi i politikave për të ardhmen ndërmjet ombuds-ve, për të adresuar sfidat që lindin nga tensionet dhe pasiguria në rritje në të gjithë botën e për rrjedhojë shtimin e kërkesave dhe sfidave për personelin ushtarak. Në kuadër të punimeve të Konferencës është i pashmangshëm reflektimi mbi mësimet e nxjerra nga takimet e tilla të mëparshme dhe përvojat e krijuara.
Në Konferencën e këtij viti, përveç Avokatit të Popullit me bashkëpunëtorët e tij, nga Republika e Kosovës po merr pjesë edhe Komisionerja parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, znj. Remzije Zeqiraj.
Konferenca e 16-të ndërkombëtare e Institucioneve të Ombuds-ve të Forcave të Armatosura po mbahet në ndërtesën e Bundestagut gjerman, nën organizimin e Komisioneres Parlamentare të Gjermanisë dhe në bashkëpunim me Qendrën e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF).