OJQ-të diskutojnë me Avokatin e Popullit raportin e tyre për gjendjen e të drejtave të njeriut
23/09/2024
Prishtinë, 17 korrik 2024 – Organizatat e shoqërisë civile prezantuan dhe diskutuan me Avokatin e Popullit raportin e tyre për gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2023. Në përpilimin e raportit kanë marrë pjesë 37 organizata të shoqërisë civile, dhe procesi i hartimit të raportit është bërë në parimin e pjesëmarrjes dhe pronësisë së plotë të OJQ-ve të cilat punojnë në fushat e të drejtave të njeriut.
Përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare vlerësuan si shumë të rëndësishme faktin që Avokati i Popullit ka trajtuar një numër të çështjeve që janë ngritur në raportin e tyre. Ata kërkuan që kjo frymë e bashkëpunimit të vazhdojë, duke pasur parasysh sidomos procesin e ndryshimit të ligjeve.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi se edhe shumë nga rekomandimet e këtij raporti do të zënë vend në raportet në të cilat janë duke u punuar në institucion. Ai po ashtu shprehu mirënjohje për reagimin e OShCV-e ndaj votimit kundër në Kuvendin e Kosovës për raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2022.
Ai shtoi se është koha që të ndryshohet rregullorja e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të largohet procesi i votimit të raportit të Avokatit të Popullit, pasi që është i pakuptimtë dhe është kundër standardeve ndërkombëtare. Kjo çështje është ngritur me një raport të Avokatit të Popullit, raport me rekomandime Ex-officio nr.563/2016, në lidhje me procedurën e shqyrtimit të Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe Plani i punës dhe i aktiviteteve të Forumit për vitin 2024/2025, i cili është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Organizatat e Shoqërisë Civile, me qëllim të promovimit dhe avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend.