Avokati i Popullit takoi shefin e KNKK-së, Agim Gashi
23/09/2024
Prishtinë, 17 shtator 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim shefin e misionit të Komitetit Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq në Kosovë (KNKK), z. Agim Gashi dhe znj. Marica Tamanini, delegate e mbrojtjes.
Avokati i Popullit u informua për aktivitetet e KNKK-së, e në veçanti për kërkimin e personave të pagjetur dhe vizitat që kjo organizatë i bënë po ashtu nëpër vendet ku mbahen persona të privuar nga liria.
Avokati i Popullit tha se çështja e personave të pagjetur vazhdon të jetë një problem madhor për vendin dhe se e kupton gjendjen e rëndë të familjeve të cilët kërkojnë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.
Ai tha se vitin e kaluar ka dal me një raport që ka të bëjë me drejtësinë tranzicionale duke nënvizuar të drejtën e familjeve për të ditur për familjarët e tyre të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Raporti në fjalë po ashtu ka ofruar rekomandime për politika dhe nisma të reja, si dhe rekomandime për përmirësimin e funksionimit të nismave ekzistuese në fushën e Drejtësisë Tranzicionale, të cilat do të ndikonin në realizimin më të madh të të drejtave të viktimave për drejtësi dhe reparacion, si dhe në realizimin e së drejtës për të ditur dhe garantimin e mospërsëritjes.
Z. Qelaj theksoi se do të vazhdojë të mbështesë secilën iniciativë institucionale që kontribuon në përmbushjen e detyrimeve që ka shteti në raport me mekanizmat e drejtësisë tranzicionale.
Në fund, Avokati i Popullit ofroi gatishmëri për bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq me mision në Kosovë që do të kontribuojë në përmirësimin e të drejtave të njeriut.