
Reagim i Avokatit të Popullit për vandalizmin e simboleve të komunitetit LGBTIQ+
10/06/2024
Prishtinë, 10 qershor 2024 – Avokati i Popullit shpreh zhgënjim dhe shqetësim për shkak të vandalizmit të simboleve LGBTIQ+, përkatësisht vandalizmit të vendkalimit në rrugën “Xhorxh Bush”, i cili është ngjyrosur me ngjyrat e ylberit për nder të Javës së Krenarisë. Avokati i Popullit dënon fuqishëm gjuhën fyese dhe diskriminuese që është përdorur me rastin e vandalizmit të simboleve të personave LGBTIQ+.
Veprime të tilla janë të papranueshme në një shoqëri ku vlerat kushtetuese bazohen në parimet e lirisë, të paqes, të demokracisë, të barazisë, të respektimit të të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit dhe të mosdiskriminimit.
Ruajtja dhe kultivimi i këtyre vlerave, të mishëruara në rendin kushtetues të vendit, bëhet nëpërmjet promovimit të një kulture të respektimit dhe të tolerancës ndaj diversitetit të orientimeve seksuale dhe të identiteteve gjinore, e njëra ndër to është Java e Krenarisë dhe aktivitetet përcjellëse.
Avokati i Popullit kërkon angazhimin e të gjitha organeve përgjegjëse, që t’i marrin masat e nevojshme në mënyrë që dukuri të tilla të parandalohen.