Avokati i Popullit diskuton në Graçanicë për të drejtat gjuhësore
Gjakove
11/06/2024
Prishtinë, 11 qershor 2024 – Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me OSBE, në Graçanicë organizoi tryezën me temë „Respektimi i të drejtave gjuhësore në Kosovë”.
Kjo tryezë kishte për qëllim diskutimin me pjesëmarrës mbi respektimin e të drejtave gjuhësore, poashtu edhe prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Avokatit të Popullit në promovimin e respektimit të të drejtave gjuhësore në vend të përcaktuara me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si dhe informimin e publikut rreth rolit dhe mandatit të Institucionit të Avokatit të Popullit në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin organizatat joqeveritare, përfaqësues të institucioneve publike, media si dhe qytetarë nga komuniteti joshumicë serbë.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi se zbatimi i ligjit për gjuhët ka një rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët e vendit në mënyrë që ata të realizojnë të drejtat e tyre në marrjen e shërbimeve publike në gjuhën e tyre të komunikimit. Poashtu edhe nga pjesëmarrësit u vlerësua e nevojshme ngritja e vetëdijesimit institucional për respektimin e të drejtave gjuhësore.
Të tilla tryeza do të oganizohen edhe në regjione të tjera të vendit dhe do të shërbejnë si një platformë e rëndësishme për diskutim dhe adresim të sfidave rreth zbatimit dhe respektimit të të drejtave gjuhësore në vend dhe njëkohësisht informimit të qytetarëve rreth mandatit dhe punës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.