
Avokati i Popullit dhe studentët diskutuan për të drejtat në arsim
Prishtinë, 29 maj 2024 – Me ftesë të organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, mori pjesë në një takim me studentë të universiteteve publike në Kosovë, i cili u mbajt në kuadër të Kongresit të Aktivizmit Studentor.
Avokati i Popullit diskutoi me studentët për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, sfidat me të cilat përballën studentët, raportet student-profesor, cilësia në arsim, ngacmimet seksuale, problemet me infrastrukturën ku hyn edhe higjiena në hapësirat e përbashkëta universitare.
Në këtë diskutim me ta, z. Qelaj shtoi se Avokati i Popullit në vazhdimësi i ka kushtuar rëndësi të veçantë të drejtës për arsim, ku vetëm gjatë dy viteve të fundit ka dalë me shtatë raporte për aspekte të ndryshme të të drejtës për arsim.
Duke potencuar faktin se Institutcioni i Avokatit të Popullit nuk ka pranuar gati asnjëherë ankesa nga studentët për problemet e tyre, z. Qelaj i inkurajoi ata që këtë ta bëjnë në të ardhmen, përmes formës elektronike ose fizikisht.