Deklarata e Avokatit të Popullit lidhur me moskalimin e Raportit të vitit 2022 nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës
27/05/2024
Prishtinë, më 27 maj 2024 – Me datën 23 maj 2024, Avokati i Popullit u thirr nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të paraqitur para deputetëve Raportin vjetor për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, për vitin kalendarik 2022. Ndryshe nga praktikat e deritanishme, kur Raportet vjetore kanë marrë votën aprovuese të deputetëve (ose shumicës së tyre), kësaj radhe vota e shumicës së deputetëve të pranishëm ishte kundër.
Duke e konsideruar si një moment shumë të ndjeshëm, që kërkon përveç vëmendje edhe sqarim situate, Avokati i Popullit e vlerëson të nevojshme t’i drejtohet opinionit publik me sa vijon:
Raporti vjetor i përvitshëm i Avokatit të Popullit që i dorëzohet Parlamentit deri më 31 mars është obligim kushtetues dhe ligjor. Këtë obligim e ka përmbushur edhe për Raportin e vitit 2022, referimi i të cilit në Seancë plenare bëhet sipas agjendës së legjislativit dhe jo sipas kërkesës së Avokatit të Popullit. Për më tepër, përgjatë viteve, Avokati i Popullit ka bërë thirrje që Raportet vjetore respektive të merren parasysh menjëherë pas dorëzimit dhe të vihen për debat parlamentar në ndonjërën prej seancave në sesionet pranverore, gjë që nuk është marrë parasysh.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit vazhdueshëm është përpjekur të tërheq vëmendjen e deputetëve që qëllimi i paraqitjes së Raportit vjetor në Parlament, arrihet kur çështjet e ngritura aty dhe gjendja e të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend e respektimi i tyre nga autoritetet, bëhen objekt diskutimi e trajtimi nga Parlamenti, i cili e ka fuqinë dhe detyrën t’i shtyj përpara rekomandimet e Avokatit të Popullit, duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga autoritetet publike, sa herë kjo të jetë e nevojshme. Vota PRO ose KUNDËR nuk e ndryshon, as e tjetërson realitetin dhe situatën me të drejtat dhe liritë e njeriut në vend. Edhe votimi Pro i Raporteve vjetore, pa debat parlamentar dhe pa veprime pasuese të legjislativit, që ndikojnë në respektimin e drejtave të qytetarëve të vendit, nuk ka asnjë kuptim.
Mënyra se si u trajtua Raporti vjetor i Avokatit të Popullit në seancën e datës 23 maj 2024 e rikthen zëshëm shqetësimin lidhur me kuptueshmërinë që ka legjislativi për Institucionin e Avokatit të Popullit, mandatin që ushtron, pacenueshmërinë sa i përket vlerësimit të çështjeve që ngre në punën e tij të përditshme dhe në mënyrën se si vendos t’i trajtoj çështjet që i procedon, qofshin ankesa apo raste sipas detyrës zyrtare.
Avokati i Popullit gjen rastin të rikujtojë se bazamentin e themelimit dhe funksionimit të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, çfarë është Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, i përkufizojnë standardet ndërkombëtare, e në mënyrë të veçantë Parimet e Parisit, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si dhe Parimet e Venecias të miratuara nga Këshilli i Evropës. Këto standarde përcaktojnë domosdoshmërinë që institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut të veprojnë në mënyrë të pavarur, të lirë nga çdo ndikim apo presion i panevojshëm, në mënyrë që të përmbushin mandatin e tyre në mënyrë efektive në mbrojtje të të drejtat të individëve, duke nënvizuar kërkesën për përmbajtjen e shteteve nga veprime që pengojnë funksionimin efektiv.
Po ashtu, Rekomandimi nr. 2 i Politikës së Përgjithshme të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) për organet e barazisë, gjithashtu e bën të qartë se këto institucione “… duhet të funksionojnë pa asnjë ndërhyrje nga shteti, partitë politike apo aktorë të tjerë” dhe se “Organet e barazisë mund të publikojnë raporte vjetore, të cilat duhet të diskutohen nga parlamenti ose komisionet përkatëse të tij dhe nga qeveria, por që nuk duhet t’i nënshtrohen miratimit të tyre”.
Situata e krijuar në seancën parlamentare të datës 23 maj 2024, sinjalizon për shpërfillje të këtyre standardeve, ashtu siç minon sistemin e kontrollit dhe balancave institucionale dhe rolin që ka vetë Parlamenti.
Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij që mungesa e shumë deputetëve në sallë kur duhej të trajtohej Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, mungesa e debatit lidhur me të gjeturat e Raportit dhe më pas thirrja për të votuar kundër, e përmbyllja e Seancës sipas kësaj thirrjeje, do të ngushtojnë hapësirën në raportimet për progresin e vendit në çështje të të drejtave të njeriut, ashtu siç veprime të tilla parlamentare, konsiderohen ndërhyrje dhe presion në punën e Institucioneve Nacionale të të Drejtave të Njeriut dhe qartazi shënojnë moment kur duhet bërë thirrje autoriteteve për reflektim e veprime të pjekura institucionale.