
Raportimi i Avokatit të Popullit Naim Qelaj në Kuvendin e Kosovës për raportin e punës për vitin 2022
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë,
Në përputhje me nenin 135 të Kushtetutës dhe me nenin 29 të Ligjit për Avokatin e Popullit, sot para jush paraqes për diskutim dhe vlerësim Raportin Vjetor të Avokatit të Popullit për gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2022.
Në vitin 2022 kemi pranuar dhe trajtuar 1595 ankesa, në të cilat ishin të përfshirë 2799 persona si ankues.
Nga ky numër, 1441 ankues ishin shqiptarë, 77 serbë, 29 boshnjakë, 13 ashkalinj, 11 turq, 10 romë, 2 egjiptianë, 2 goranë dhe 10 të tjerë.
Autoritetet publike kundër të cilave më së shumti ishin drejtuar ankesa, ishin: 481 ankesa të ushtruara kundër ministrive; 475 ankesa kundër gjykatave dhe 257 ankesa kundër komunave.
Numri më i madh i ankesave kanë pretenduar shkelje të së drejtës për mjete juridike (498 ankesa); pasuar me pretendimet për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (472 ankesa); mandej për mbrojtje shëndetësore dhe sociale (310 ankesa); për të drejtën në punë dhe ushtrimin e profesionit (279 ankesa) dhe për mbrojtje të pronës (166 ankesa).
Krahas ankesave kemi iniciuar edhe 42 raste për hetim sipas detyrës zyrtare.
Gjatë vitit 2022 kemi adresuar 646 rekomandime.
Niveli i zbatimi të rekomandimeve, edhe pse ka pasur rritje nga viti paraprak, mbetej në nivel jo të kënaqshëm. Në nivel të përgjithshëm, gjatë vitit janë zbatuara 23 % të rekomandimeve, 4 % janë zbatuara pjesërisht, në pritje të zbatimit janë 70 % dhe të pazbatuara janë 3 %.
Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë e përmbledhur në disa konkluzione
Nga hetimet e ankesave, hetimet e rasteve sipas detyrës zyrtare mund të konkludoj se:
- Është konstatuar pamundësia e sistemit të drejtësisë që t’i përfundonte lëndët brenda një afati të arsyeshëm kohor. Zvarritjet procedurale, përpos që cenonin të drejtën për gjykim të drejtë, pamundësonin edhe zbatimin e shumë të drejtave të tjera, të cilat garantohen me Kushtetutë. Gjithashtu, ende nuk ekzistonte një mekanizëm për realizimin e dëmshpërblimit për qytetarët, për shkak të shkeljes së gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor.
- Gjatë vitit 2022, nga hetimet e kryera janë evidentuar shkelje të dinjitetit të njeriut. Kjo shkelje ishte manifestuar, veçanërisht, në raport me grupet e cenueshme, me personat e moshuar pa përkujdesje familjare dhe me personat me aftësi të kufizuar.
- Ka vazhduar të mbetej shqetësuese mungesa e ligjit të harmonizuar dhe gjithëpërfshirës për trajtimin e të drejtave të aftësisë së kufizuar, moszbatimi i Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, shqetësuese mbeteshin rastet e dhunës, qasja e kufizuar në punësim, kufizimi i qasjes në infrastrukturë, përkrahja e pamjaftueshme për personat me autizëm dhe i personave me zhvillim të vonshëm mendor.
- Edhe në vitin 2022 ishte vërejtur se raportimi i rasteve të diskriminimit mbetej në nivel të ulët, shumica e ankesave për diskriminim, që paraqiten te Avokati i Popullit, nuk rezultonin me diskriminim, ndërsa rastet e vërteta të diskriminimit vazhdonin të mos paraqiteshin apo të mos denoncoheshin, sa nga mosnjohja e konceptit të diskriminimit, sa nga frika e viktimizimit, por edhe nga mungesa e besimit të qytetarëve në mekanizmat kompetentë.
- Gjithashtu arritja e barazisë gjinore vazhdonte të mbetej sfidë. Gratë vazhdonin të përballeshin me probleme të theksuara në fushën e punësimit e të trashëgimisë. Dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore vazhdonte të mbetej shqetësim. Përmasat e kësaj dukurie tregonin më së miri se sa urgjente ishte nevoja për mobilizim të përgjithshëm për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna. Fatkeqësisht, në shumë raste konstatohej se kjo dhunë ndodhte si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit, për shkak të masave të pamjaftueshme institucionale për parandalim dhe mbrojtje.
- Edhe në atë vit nuk kemi marrë ankesa nga personat e arrestuar, të cilët ishin në mbajtje në kohën e vizitave nga Avokati i Popullit. Të gjithë të paraburgosurit e mitur, të cilët janë intervistuar, kanë pohuar se janë trajtuar në mënyrë korrekte dhe profesionale nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Megjithatë:
- shqetësues mbetej trajtimi i personave me probleme të shëndetit mendor, për shkak të mungesës së kapaciteteve në institucione të shëndetit mendor, si dhe mbajtja e tyre në institucione korrektuese;
- gjithashtu sfidë mbetej trajtimi i personave të moshuar, i personave me probleme shëndetësore kronike dhe i atyre me nevoja të veçanta dhe me probleme të varësisë;
- disa qendra korrektuese, si ajo në Prizren dhe ajo në Pejë, nuk i plotësonin kushtet e nevojshme për punë dhe as për trajtim të dinjitetshëm të personave të privuar nga liria.
- Kemi konstatuar se mungesa e materialit për shtypjen dhe pajisjen e qytetarëve me pasaporta dhe vendosja e barrikadave në rrugë në veriun e Republikës së Kosovë kanë paraqitur pengesa për lirinë e lëvizjes.
- Mbrojtja e pronës sfidohej nga mungesa e efikasitetit të gjyqësorit, për shkak të mosarritjes që të vendosej në mënyrë efikase për këto raste.
- Po ashtu kemi konstatuar se edhe në vitin 2022 vazhdonte të mbetej sfidë realizimi i të drejtave të punës dhe i ushtrimit të profesionit si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat. Kjo si pasojë e shkeljeve të procedurave të punësimit, ndërprerjes së marrëdhënies së punës në kundërshtim me ligjin, moskompensimin e punës jashtë orarit, mosshfrytëzimin e së drejtës për pushim vjetor, mosrealizimin e së drejtës për pagë, punë pa kontratë, diskriminimin në moshë etj. Mungesa e sigurisë në punë vazhdonte të mbetej shumë shqetësuese.
- Mbrojtja Shëndetësore ishte sfiduar nga mungesa e furnizimeve të rregullta me barna esenciale dhe produkte e pajisje medicinale si dhe me materiale shpenzuese, pritje të gjata të pacientëve për t’i kryer disa lloje të intervenimeve, moszbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, si dhe mosfunksionalizimi i kujdesit paliativ, ishin disa nga shqetësimet në këtë sektor.
- Avokati i Popullit, në dhjetor 2022, kishte adresuar Raportin lidhur me të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues. Në këtë raport ishte konstatuar se gratë dhe vajzat vazhdonin të kishin mungesë informacioni e edukimi për shëndetin seksual dhe riprodhues si dhe për të drejtat që u takonin. Gjithashtu ishte konstatuar se kishte pasur cenim të privatësisë dhe të konfidencialitetit, trajtim të padinjitetshëm, mungesë të dedikimit të kohës për pacientë, vonesë në ofrimin e shërbimeve të nevojshme, vonesë për diagnostikim dhe trajtim me kohë dhe mungesë të herëpashershme të terapisë për trajtimin e sëmundjeve malinje të sistemit riprodhues. Përveç kësaj, ishte konstatuar se sistemi shëndetësor kishte mungesë të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të shërbimeve dhe të cilësisë së tyre, anomali në funksionim dhe mungesë koordinimi dhe planifikimi.
- Rastet e sulmeve kundër gazetarëve vazhdonin të mbeteshin shqetësim edhe në atë vit. Avokati i Popullit i kishte ndjekur me shqetësim çështjet që ndërlidheshin me sigurinë e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shtëpive mediale, në ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Avokati i Popullit kishte bërë thirrje që sulmet, kërcënimet dhe presionet kundër gazetarëve të merrnin një përgjigje të shpejtë nga organet kompetente, për të garantuar siguri dhe mbrojtje për ta, që të ishin të lirë ta ushtronin profesionin e tyre.
- Në raport ishte theksuar se Kosova kishte shënuar hapa të rëndësishëm drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve, me miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Megjithatë miratimi i këtij ligji nuk ishte ndjekur me hapa konkretë për zbatim të suksesshëm, si pasojë e mosmiratimit të akteve nënligjore. Gjithashtu kishte konstatuar se kishte progres në arsim, mirëpo ky progres kishte qenë jo i barabartë në sektorë të ndryshëm për sa u përket pjesëmarrjes, përfshirjes dhe zhvillimit të fëmijëve, sipas nevojave dhe aftësive të tyre.
- Për sa i përket së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, raporti kishte vlerësuar pozitivisht faktin se gjatë vitit 2022 ishte miratuar Ligji i ri për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja. Përkundër kësaj, kualiteti i ajrit mbetej shqetësim. Në anën tjetër kishte vazhduar të ishte shqetësuese mungesa e veprimeve konkrete, të cilat do ta ndalnin degradimin e vazhdueshëm të lumenjve në aspektin tredimensional: uji, shtretërit dhe brigjet e lumenjve.
- Edhe në vitin 2022, komunitetet kishin hasur në vështirësi për realizimin e të drejtave në praktikë, duke hasur në sfida të konsiderueshme. Kjo bazuar në numrin e madh të ankesave që kishim pranuar nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Shqetësim për Avokatin e Popullit mbetej mosinformimi i komuniteteve joshumicë: rom, ashkali, egjiptian, lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi si dhe përfshirjen e tyre në arsim.
- Përkundër përpjekjeve të ndryshme lidhur me drejtësinë tranzicionale, kishte munguar një strategji gjithëpërfshirëse. Nismat e ndryshme nuk kishin qenë çdoherë të harmonizuara njëra me tjetrën dhe kjo kishte ndikuar në mosarritjen e rezultateve të synuara.
Nga vlerësimi i përgjithshëm i të drejtave dhe i lirive të njeriut për atë vit, mund të them se, pavarësisht se kishte përmirësime, progresi nuk ishte mjaftueshëm në përputhje me kërkesat dhe as me standardet për respektimin e drejtave të njeriut.
Duke qenë se ky raport është për vitin 2022, dua ta tërheq vëmendjen tuaj që në të ardhmen të merret në konsideratë kërkesa që raporti i Avokatit të Popullit të vendosen për shqyrtim në Kuvend në kohë më të përshtatshme, duke marrë parasysh nevojën për të qenë aktual si dhe rëndësinë e peshën që kanë për vendin tonë standardet për respektimin e drejtave të njeriut.
Gjithashtu vazhdoj të qëndroj në kërkesën time që raporti i Avokatit të Popullit të vlerësohet e të nxisë debat parlamentar e diskutim, të nxirren rezoluta e qëndrime në raport me të gjeturat e konstatuara nga Avokati i Popullit për shkeljet e konstatuara të të drejtave dhe të lirive të njeriut dhe të mos i nënshtrohet procesit të votimit. Standardet që kërkohen nga secili shtet sot është që raporti i Avokatit të Popullit nuk duhet t’i nënshtrohet procedurës së votimit. Votimi është në kundërshtim me parimet e Parisit dhe të Komisionit të Venedikut, si dy instrumente që janë miratuar nga organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut – OKB dhe Këshilli i Evropës.