
Diskutohen të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues në Prizren
Prishtinë, 8 maj 2024 – U mbajt tryeza në Prizren me temë “Respektimi i së drejtës së qytetarëve në shërbime shëndetësore, me theks shëndetin seksual dhe riprodhues – si e drejtë e njeriut”, në bashkëpunim me OJQ “Qendra për Barazim dhe Drejtësi”.
Qëllimi i tryezës ishte diskutimi i raportit të Avokatit të Popullit “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues”, si dhe niveli i zbatimit të rekomandimeve nga ky raport për autoritetet përgjegjëse, si dhe të gjeturat të dala nga punëtoria e mbajtur me nxënës dhe me studentë në Prizren.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Ai tha se komunat kanë përgjegjësi dhe kompetenca për të organizuar shërbimet mjekësore primare.
“Zbatimi i rekomandimeve, që rrjedh nga Ligji për Avokatin e Popullit, janë me rëndësi të madhe për përmirësimin e shërbimeve mjekësore,” tha Avokati i Popullit.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini theksuan se, edhe përkundër ballafaqimeve me mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe financiare, ata po mundohen që të përmirësojnë shërbimet mjekësore dhe kushtet shëndetësore për qytetarët e tyre.
Përfaqësues të sektorit të shëndetësisë nga institucionet lokale, si nga komuna e Prizrenit dhe komuna e Mamushës, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile po ashtu diskutuan për sfidat dhe të arriturat.
Ndër sfidat kryesore mbesin ngritja e kapaciteteve dhe fuqizimi në sektorin primar shëndetësir, informimi dhe edukimi i qytetarëve për shëndetin seksual dhe themelimi i Sistemit Informativ të Shëndetësisë (SISh).