Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit

03/05/2024

Prishtinë, 3 maj 2024 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, nënvizon rëndësinë e lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve, si një ndër elementet thelbësore të një shoqërie demokratike, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë të Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

Kërcënimet verbale dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe punëtorëve tjerë medial vazhdojnë të jenë prezente në punën e tyre. Po ashtu, presionet ndaj tyre vazhdojnë të mbesin një shqetësim siç janë etiketimet dhe diskreditimi që iu bëhet gazetarëve për shkak të raportimeve të tyre, e që janë në interes të publikut.

Mediat duhen të jenë të lira në mënyrë që të vazhdojnë punën e tyre, profesionalisht dhe të pavarura, në informimin dhe edukimin e publikut, duke i mbajtur përgjegjëse institucionet publike dhe duke punuar në promovimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Sipas një hulumtimi të kryer të kohëve të fundit nga Avokati i Popullit, në lidhje me gjuhën e përdorur në diskursin publik, përfshirë këtu gjuhën e përdorur në media, është nënvizuar se mediat në përgjithësi janë të kujdesshme në respektimin e kodit të etikës, duke shmangur përdorimin e gjuhës urrejtëse në përmbajtjet e tyre mediale.

Mediat e pavarura dhe profesionale duhen të fuqizohen për të luftuar shpërndarjen e lajmeve të rreme, dezinformatave dhe keqinformimit, e sidomos ato në rrjete sociale, në mënyrë që publiku të jetë i informuar me lajme të verifikuara dhe të besueshme.

Avokati i Popullit, fton Institucionet e vendit që të fuqizojnë aktivitetet për të siguruar transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënies publike, të respektojnë ligjin për qasje në dokumente publike dhe qasje në informacion si një e mirë publike.

Ai po ashtu tërheq vëmendjen për domosdoshmërinë e sigurisë së gazetarëve dhe efikasitetit të organeve të drejtësisë në ndëshkimin dhe parandalimin e çdo forme të cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit, si parakushte të ndërtimit të një shoqërie demokratike.