Featured Image

Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës

01/05/2024
Prishtinë, 1 maj 2024 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, thekson se vendi vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë për punëtorët. Shumë sfida mbesin përpara për të cilat duhet angazhim i të gjithë sektorëve për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
Avokati i Popullit, duke parë rastet e shpeshta të aksidenteve në vendin e punës, me pasoja deri në fatalitet, e në veçanti në sektorin e ndërtimit, fton autoritetet publike përgjegjëse për zbatimin e ligjit, që t’i përmbushin obligimet ligjore që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në punë për të punësuarit, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik.
Për vite me radhë, Avokati i Popullit ka reaguar për parregullsitë në fushën e ligjit të punës dhe shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, ku numri më i madh i rasteve ka të bëjë me diskriminimin. Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, rastet e diskriminimit në vendin e punës ende raportohen shumë rrallë te mekanizmat mbrojtës, për shkak se punëtorët kanë frikë t’i raportojnë.
Një sfidë tjetër serioze është stërzgjatja e procedurave gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve të punës që mbetet si pengesë për funksionimin e zbatimit të ligjit të punës sa i përket mbrojtjes gjyqësore të të drejtave. Po ashtu, Avokati i popullit ndër vite ka qenë i angazhuar në diskutime për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe punës së denjë nga perspektiva e standardeve të ndjeshme gjinore.
Avokati i Popullit thekson se korniza ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është e plotë dhe nuk siguron mbrojtjen e të punësuarve nga aksidentet dhe dëmtimin e shëndetit në punë. Po ashtu, duhet bërë më shumë që legjislacioni të sigurojë mjaftueshëm përgjegjësitë dhe detyrimet për punë të dinjitetshme.
Si pjesë e mandatit të tij, Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë dhe të ndikojë në përmirësimin e kushteve të punës për të gjithë punëtorët në Republikën e Kosovës.