Featured Image

Komunikatë për media

30/04/2024
Prishtinë, 30 prill 2024 – Avokati i Popullit vëren se sot disa portale kanë publikuar lajmin për arrestimin e një personi për shkak të kryerjes së veprës penale “marrëdhënie seksuale brenda familjes”, duke përmendur përkatësinë etnike të personit të dyshuar. Mediat thuhet se kanë raportuar mbi bazën e njoftimit të Policisë së Kosovës.
Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe organeve të vendit, dhe në veçanti tërheqë vëmendjen e mediave, tek Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila shprehimisht përcakton se Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet dhe në të tilla raste mjafton të përcaktohet shtetësia e personit/personave, kur kjo është e nevojshme.
Avokati i Popullit rikujton se më 9 dhjetor 2019 në Raportin me Rekomandime Ex-officio ku mes tjerash, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës, që në njoftimet për media dhe në komunikimet e tjera me publikun, përveç publikimit të inicialeve të emrit dhe mbiemrit të personit/personave të përfshirë në rastet ku ka dyshime për vepra penale, në çfarëdo cilësie, që t’i mbrojë të dhënat e tjera personale, përfshirë të dhënat për përkatësinë etnike.
Së këndejmi, Avokati i Popullit kërkon nga Policia e Kosovës si dhe portalet në Kosovë që të kenë kujdes me rastin e raportimit duke mos publikuar karakteristikat personale të përfshirë në rastet kur ekzistojnë dyshime për vepra penale, me theks të veçantë në përkatësinë etnike të këtyre personave.