U mbajt tryezë diskutimi me rastin e shënimit të ditës kombëtare për personat e pagjetur
Prishtinë, 26 prill 2024 – Me rastin e shënimit të ditës kombëtare për personat e pagjetur, që mbahet çdo 27 prill, Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi një tryezë diskutimi me të gjitha palët e përfshira në çështjen e personave të zhdukur.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj rikujtoi detyrimet që ka shteti për t’u garantuar viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur të drejtën për të ditur, të vërtetën për fatin e familjarëve të zhdukur me forcë dhe për të garantuar drejtësi për viktimat, ashtu që krimet e luftës të mos mbesin të pandëshkuara.
“Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur. Ky është fakt shqetësues dhe padrejtësi për viktimat, prandaj Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve vendore edhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, që pa kompromis të ushtrojnë presion për të detyruar autoritetet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur,” tha ai.
Në tryezë u prezantua raporti i Avokatit të Popullit “Drejtësia Tranzicionale dhe zbatimi i mekanizmave të saj” i cili ka vlerësuar nga perspektiva e të drejtave të njeriut se sa kanë qenë institucionet e Republikës së Kosovës në nivelin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Kushtetuta, nga ligjet në fuqi dhe nga instrumentet ndërkombëtare për sa u përket krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurimit të drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.
Kryesuesi i komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti foli për punën dhe aktivitetet e komisionit, i cili ndër të tjera, tha se komisioni është duke punuar në ndryshim dhe plotësim të ligjit për personat e pagjetur. Ai tha se deri më tani komisioni ka kërkuar në 15 lokacione në Kosovë. Ai shtoi se deri më tani janë gjetur 950 persona në varrezat masive në Serbi.
Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit për krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë, tha se instituti është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë në mënyrë që të bëhet i gjithë grumbullimi dhe të arkivohen të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me krimet e luftës.
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të zhdukurve të Kosovës, tha se janë 23 organizata jo-qeveritare anëtare dhe janë aktive në punën e tyre. Ai kujtoi punën e tyre që nga pas lufta, pa përkrahje shtetërore, duke punuar me vet kontribut në mbledhjen e dëshmive dhe artefakteve.
Bajram Çerkini, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, tha se kjo temë i prek gjithmonë familjarët që kanë persona ende të pagjetur. Ai tha se duhet të punohet më shumë në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur.
Lexoni këtu deklaratën e Avokatit të Popullit me rastin e shënimit të ditës kombëtare për personat e pagjetur https://shorturl.at/cjvE1