Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit në shënim të Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur

26/04/2024

Prishtinë, 26 prill 2024 – Avokati i Popullit, në shënim të Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, që mbahet çdo 27 prill, rikujton detyrimet që ka shteti për t’u garantuar viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur të drejtën për të ditur, të vërtetën për fatin e familjarëve të zhdukur me forcë dhe për të garantuar drejtësi për viktimat, ashtu që krimet e luftës të mos mbesin të pandëshkuara.

Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur. Ky është fakt shqetësues dhe padrejtësi për viktimat, prandaj Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve vendore edhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, që pa kompromis të ushtrojnë presion për të detyruar autoritetet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton qëndrimet e shprehura në Deklaratën për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën 47/133, të datës 18 dhjetor 1992, që përcakton se:

  • “Çdo akt i zhdukjes me forcë është një ofendim i dinjitetit njerëzor.Ai dënohet si një mohim i qëllimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe si një shkelje e rëndë dhe flagrante e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të shpallura në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të riafirmuar dhe zhvilluar në instrumentet ndërkombëtare në këtë fushë.”
  • “Zhdukjet me forcë i bëjnë autorët e tyre dhe shtetin ose autoritetet shtetërore që organizojnë, pranojnë ose tolerojnë zhdukje të tilla përgjegjës sipas ligjit civil, pa cenuar përgjegjësinë ndërkombëtare të shtetit në fjalë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare”
  • “Veprat që përbëjnë zhdukje me forcë do të konsiderohen vepër e vazhdueshme përderisa autorët vazhdojnë të fshehin fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur dhe këto fakte mbeten të paqarta.”

Gjithashtu, rikujton detyrimet që dalin nga Konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, që veç tjerash, përcakton se “Praktika e përhapur ose sistematike e zhdukjes me forcë përbën një krim kundër njerëzimit…”

Ofrimi i të dhënave për të zhdukurit, gjykimi dhe dënimi i përgjegjësve dhe atyre që kanë kryer këto krime, duhet të jetë detyrim dhe kusht për secilën palë përgjegjëse, ashtu siç përcakton Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja e Dhunshme dhe instrumentet tjera ndërkombëtare.

Refuzimi, mosbashkëpunimi dhe hezitimi për të ofruar të dhëna dhe dëshmi për fatin e personave të zhdukur, është i pa pranueshëm dhe paraqet mohim të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerizimit.

Vendosja në tavolinë e dialogut politik dhe synimi që të arrihet kompromis me fatet e personave të zhdukur është i pa papranueshëm, nëse nuk vendoset si kërkesë e qartë për palët dhe të imponohet si  detyrim dhe parakusht i çdo iniciative tjetër, duke e vlerësuar si prioritet që nuk lejohet të kalohet.

Gjithashtu, duke ritheksuar se çdo përpjekje për të vendosur kushte tjera të detyrimit për të zbardhur fatin e të zhdukurve, rrethanave dhe vendndodhjes së tyre, është vazhdim i krimeve të luftës dhe veprim në kundërshtim me parimet e pranuara për të drejtat universale të përcaktuar nga Deklarata Universale e të drejtave të njeriut dhe instrumenteve tjera që garantojnë të drejtën e personave të zhdukur me forcë si dhe përbën mohim të krimeve kundër njerëzimit, siç përcaktohet në të drejtën ndërkombëtare.

Avokati i Popullit. duke njohur kontributin e secilit që është angazhuar në ndërtimin e paqes, duke respektuar mekanizmat e drejtësisë tranzicionale, duke njohur dhe mbështetur përpjekjet institucionale për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës dhe hartimin e strategjive dhe politikave  që adresojnë këto mekanizma, do të vazhdoj të jetë zë i fuqishëm në mbështetje të kërkesave të familjeve të personave të zhdukur, duke mbështetur  secilën iniciativë institucionale që kontribuon në përmbushjen e detyrimeve që ka shteti në raport me mekanizmat e drejtësisë tranzicionale. Do të vazhdoj të ketë bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, që në shumë raste ka qenë zëri i vetëm që ka ndikuar që padrejtësitë me viktimat i kanë vendosur në vëmendjen e institucioneve, duke iu përkujtuar detyrimet që kanë.