
Diskutim për të drejtat e njeriut në Gjilan
Prishtinë, 22 prill 2024 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj takoi përfaqësuesit e organizatave civile, aktivistë të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të institucioneve lokale, të gjitha komunitetet nga regjioni i Gjilanit. Tryeza u organizua nga OJQ ‘ACDC”.
Takimi kishte për qëllim diskutimin me Avokatin e Popullit, mbi situatën e të drejtave të njeriut në nivel lokal, problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e nevojat për adresim; respektimi i të drejtave të komuniteteve jo shumicë si edhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit me organizatat e shoqërisë civile në përpjekje për mbrojtje dhe promovim të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit theksoi se tryezat e tilla kanë krijuar tashmë një platformë ku mund të bisedohet me të gjitha komunitetet për shqetësimet dhe problemet me të cilat ata hasin në përditshmërinë e tyre.
Ai shpjegoi mandatin dhe kompetencat e tij, duke përfshirë punën dhe aktivitetet e institucionit në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut. Z. Qelaj theksoi se ankesat më të mëdha të qytetarëve kanë të bëjnë me zvarritjet e procedurave gjyqësore, moskthimi i përgjigjeve nga institucionet publike në pyetjet e qytetarëve dhe, ndër të tjera, e drejta pronësore.
Avokati i Popullit po ashtu foli për vrasjet e fundit të grave duke e theksuar si një dukuri shqetësuese në shoqëri dhe kërkoi që ligjet që mbrojnë viktimat nga dhuna në familje të zbatohen në përpikëri.
Nga pjesëmarrësit në këtë tryezë u ngritën çështje si problemet e qasjes në hapësira dhe objekte publike për personat me aftësi të kufizuara, sfidat në punë të qendrave për punë sociale.