Featured Image

U mbajt takimi i rregullt i punës së Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

19/04/2024

Prishtinë, 19 prill 2024 – Sot, u mbajt takimi  i parë i punës për vitin 2024, i Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile.

Në fillim të takimit në shenjë mirënjohjeje dhe përkujtimi për jetën dhe veprën e z. Naim Osmani, ish-drejtorit ekzekutiv të organizatës “Programi për të Drejtat Civile / Kosovë’’, anëtari aktiv i Forumit, i cili ka ndërruar jetë muajin e kaluar, u përkujtua kontributi i të ndjerit për avancimin e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë. Me këtë rast, Avokati i Popullit ndau një mirënjohje post-mortum familjes së tij, në shenjë falënderimi për kontributin  e tij të dhënë në fushën e të drejtave të njeriut.

Në vazhdim të takimit u bë prezantimi dhe vlerësimi i aktiviteteve të realizuara sipas planit të punës së Forumit e gjithashtu u koordinuan aktivitetet për vitin 2024.

Avokati i Popullit po ashtu paraqiti një përmbledhje të raporteve të publikuara së fundmi, e që përfshijnë sigurinë dhe shëndetin në punë, gjuhën e përdorur në diskursin publik, qasshmërinë në hapësira dhe objekte publike për personave me aftësi të kufizuara, punësimin e procesin e rivlerësimit në komisionet mjekësore, si edhe raportin lidhur me cilësinë e përkthimit të akteve juridike dhe mospërputhjen e tyre gjuhësore.

Ai po ashtu foli edhe për temat që janë në trajtim e sipër nga Avokati i Popullit, duke përfshirë mungesën e barnave nga lista esenciale, sfidat dhe shqetësimet e viktimave të dhunë seksuale në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës, restituimin e pronave të nacionalizuara dhe të tjera.

Nga anëtarët e Forumit u ngritën si shumë shqetësim rastet e fundit të vrasjeve të grave, duke vënë në spikamë mungesën e raportimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Po ashtu u diskutuan edhe çështjet e ngacmimeve seksuale në universitet dhe në shkolla, shëndeti mendor dhe tema tjera që ndërlidhen me komunitetet jo-shumicë.