Featured Image

Fjalimi i Avokatit të Popullit, Naim Qelaj në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizuar nga Presidentja e republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

16/04/2024

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i nderuar të jem pjesë e këtej paneli. Dje dhe sot shumë folës të shquar kanë trajtuar çështje me shumë rendësi, duke paraqitur përvojat e tyre personale.

Rrëfimet për përjetimet personale janë të  pakrahasueshme,  me  më  tepër peshë se çdo prezantim teorik, megjithatë konsideroj se është përgjegjësia ime si Avokat i Popullit të prezantoj para jush qëndrimet e mija, duke pasur parasysh faktin se dhuna seksuale si mjet i luftës në konflikte është shkelje brutale e të drejtave të njeriut që cenon skajshmërisht, dinjitetin e personit, të drejtën për jetë, të drejtën për integritet personal,  dhe është akt i  torturës, ndëshkimit dhe trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.

E vërteta e Kosovës dhe popullit të saj është një histori suksesi e një vendi që  sistemin e vet juridik e kushtetues e ka vendosur mbi  vlerat e lirisë, paqes, barazisë, respektimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mos diskriminimit dhe  barazisë  gjinore .

Megjithatë ka shumë çështje që kanë mbetur të pa zgjidhura, që vazhdojnë të jenë breng e shoqërisë sonë siç është çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, çështje që rëndon në ndërgjegjen tonë si shoqëri po që duhet të rëndojnë edhe në ndërgjegjen e secilit njeri në shoqërinë njerëzore.

Duke pas parasysh rolin tim dhe mandatin që kam si Avokat i Popullit në  mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, prezantimin tim do ta orientoj mbi fakte që vërtetojnë se edhe sot viktimave të dhunë seksuale të luftës nuk u  ofrohet drejtësi për shkak të pandëshkueshmërisë së atyre që kanë kryer këto krime.

Të dhënat e deritashme edhe pse jo të plota dëshmojnë  se viktimat dhe  mbijetuarit e dhunës seksuale e kanë të vështirë të flasin për shkak të pa ndëshkushmërisë së këtej krimi dhe mungesës së  rivendosjes së drejtësisë duke i gjykuar ata që kanë kryer këto krime.

Gjithashtu nga ajo që ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, dëshmohet qartë se dhuna seksuale nuk prek vetëm grat e vajza, por ajo prek dhe viktimizon gjithashtu edhe burrat dhe djemtë.

Ende nuk është siguruar dhe garantuar një ambient i përshtatshëm dhe i sigurt që të mbijetuarit e dhunës seksuale të flasin. Çka vërteton se të mbijetuarit e dhunës seksuale zgjedhin të heshtin për shkak të mosbesimit në drejtësi, të stigmës, turpit, frikës nga poshtërimi dhe izolimit prej rrethit ku jeton.

Prandaj, është detyrë e secilit  prej nesh e përgjegjësi e shteteve që të angazhohen për të krijuar mjedis të sigurt, pa paragjykim dhe mbështetës, ku të mbijetuarat dhe dëshmitarët e dhunës seksuale do të ndjehen të sigurt dhe rehat për t’u paraqitur dhe raportuar krimet.

Në anën tjetër, nga Serbia është pa mungesa e plotë e vullnetit për të ndjekur, gjykuar dhe dënuar kryerësit e dhunës seksuale, e që ky mosveprim paraqet mohim të krimeve të kryera gjatë  luftës, dhe mund të konsiderohet edhe mbështetje për politikat që kanë pas qëllim përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte, dhe kjo nuk duhet të tolerohet nga bota demokratike.

Pandëshkushmëria dhe mohimi i krimit janë sinjale që inkurajon krimin dhe ata që kryejnë këto krime që fatkeqësisht nuk janë të pakta edhe sot në botë. Në anën  tjetër mohimi i krimit dhe mosndëshkimi do të vazhdoj të paraqes pengës për arritjen e paqes dhe pajtimit, krimet e pa ndëshkuara janë hendek i pa kalueshëm për pajtim mes popujsh e kjo është vërtetuar në shumë raste.

Është fakt se përgjegjësia kryesore për të hetuar dhe dokumentuar dhunën seksuale i mbetet shteteve. Mirëpo, aty ku nuk ndodh kjo është detyrim i mekanizmave ndërkombëtare që në mënyrë efektive të dokumentojnë dhunën seksuale si krim ndërkombëtar, duke ndërmarr edhe masa që detyrojnë shtetet përgjegjëse për ndjekje, gjykim dhe ndëshkimin e atyre që i kanë kryer këto krime.

Sipas të dhënave nga shumë organizata që kanë hulumtuar dhe kanë trajtuar krimet e luftës në Kosovë, është konstatuar se gjatë luftës në Kosovë rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Këto akte dhunimi janë kryer si pjesë e sulmit të gjerë apo sistematik të drejtuar kundër popullatës civile shqiptare,  janë kryer me paramendim dhe të organizuara nga forcat e uniformuara ushtarake e policore të Serbisë. Kjo juridikisht sipas statusit të Romës për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtarë penale përkufizohet si krim kundër njerëzimit dhe krim lufte.

Pas luftës, për shkak të paragjykimeve dhe mentalitetit shoqëror, ka pas një refuzim publik që të flitet për dhunën seksuale gjatë luftës. Vetëm pas një  angazhimi të vazhdueshëm të  shoqërisë civile,  aktivistëve të të drejtave të njeriut, grave deputete të mbështetura nga ish presidentja e vendit znj. Atifete Jajhjaga, është bërë e mundur që në vitin 2014 të miratohet Ligji për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës Seksuale. Ky ligj mbulon vetëm aspektin e mbështetjes  sociale por që në asnjë mënyrë si i vetëm nuk përmbush detyrimet tjera që ka shteti në ofrimin e drejtësisë së munguar, shërbimeve shëndetësore e rehabilitim e për trajtim postraumatik, e të tjera.

Me keqardhje me duhet të  konstatoj se as Tribunali i Hagës për krimet e kryera në ish Jugosllavi (ka shpallur fajtorë 4 persona për dhunime gjatë kohës së luftës në Kosovë, përderisa shumë pak gra kanë dëshmuar në proceset gjyqësore) dhe as Tribunali Penal Ndërkombëtar (TPNJ) (që përdhunimin gjatë kohës së luftës e definoi si veprim të torturës dhe skllavërisë seksuale, si krim ndaj njerëzimit, e që konsiderohet arritje e jashtëzakonshme në luftën kundër mosndëshkimit të kriminelëve të luftës), nuk kanë arritur të përmbushin qëllimin që as një krim të mos mbetet i pandëshkuar dhe që viktimave të ju ofrohet drejtësi. Numri i akuzave të ngritura dhe rasteve të gjykuara, nuk është në proporcion me përmasat e këtij krimi, me numrin rasteve të raportuara  dhe pasojave, sidomos për krimet ndaj civilëve në Kosovë.

Aplikimi i dhunës seksuale si mjet lufte nga forcat ushtarake serbe në Kosovë, ka mbet i pandëshkuar. Serbia edhe pas 20 vjetësh të përfundimit të luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë e as nuk i ka dënuar ato. Si konkludim, e drejta ndërkombëtare nuk u zbatua edhe në rastin e Kosovës, e ky fakt tregon se sa pak është bërë në drejtim të masave që garantojnë mos përsëritjen e  krimit.

Në fund  konsideroj se ky forum, ka rol të veçantë, për të ngritur vetëdijen për masat që duhet ndërmarr për të garantuar që këto krime të mos përsëriten.

Konsideroj se;

  • përfshirja dhe pjesëmarrja e grave në  vendimmarrje,
  • miratimi i Politikave që nuk amnistojnë këto krime për as një palë, shtet grup apo individ,
  • fuqizimi i mekanizmave mbikëqyrës dhe raportues kombëtar e ndërkombëtar,
  • rishikimi i plotë i instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar ndjekjen penale
  • Definimin qartazi të dhunën seksuale në situata lufte apo konflikti si krim kundër njerizimit dhe krim lufte
  • duke përcaktuar mekanizmat efikas për drejtësi ndërkombëtare,
  • masat që duhet të merren nga shtetet për të krijuar një ambienti miqësor dhe të sigurt për të mbijetuarit e dhunës seksuale, larg stigmave, paragjykimeve dhe ri viktimizimit,

do të jenë kërkesa të vazhdueshme për komunitetin vendor e ndërkombëtar, për të realizuar aspiratat tona për një shoqëri ku siguria është e garantuar për të gjithë,  e ne veçanti për gratë.

Ju falemnnderit për vëmendjen tuaj.