Reagim i Avokatit të Popullit me rastin e vrasjes së dy grave
Prishtinë, 16 prill 2024 – Avokati i Popullit, jashtëzakonisht i shqetësuar me vrasjen e gruas që ndodhi sot në Pejë, dhe atë të gruas tjetër që ndodhi para pak ditëve në Ferizaj, dënon këto akte makabre. Me këtë rast ai i bënë thirrje autoriteteve kompetente të rrisin masat për sigurinë e jetës së grave për të mos toleruar asnjë lëshim ndaj secilit që mund të ketë përgjegjësi në këto raste.
Gjithashtu, ai konsideron se këto akte brutale janë alarm i fundit se dukuria e vazhdueshme e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje kërkon intervenime të menjëhershme dhe me të gjitha kapacitetet shtetërore dhe institucionale.
Avokati i Popullit po ashtu shpreh shqetësimin e tij për gjuhën e përdorur në disa komente që përmbajnë gjuhë të papërshtatshme e që mund të nxisin urrejtje. Ai kërkon nga secili qytetar që të distancohet nga dhuna ndaj grave dhe vajzave duke i dënuar publikisht këto akte. Me këtë rast, ai kërkon nga organet e sigurisë dhe ndjekjes që të monitoroj dhe marrin masa për të shmangur çdo koment qe përmban gjuhë që përhap apo nxit urrejtje.
Avokati i Popullit ndjen keqardhje dhe i shpreh ngushëllime familjeve të grave të vrara.